Maqedoni
MPB: 20 polic dhe disa protestues të lënduar
04.07.2014 19:40
Ministria e Punëve të Brendshme, ka dalë me të dhëna zyrtare për protestën e organizuar kundër të dënuarve të rastit “Monstra”...

Ministria e Punëve të Brendshme, ka dalë me të dhëna zyrtare për protestën e organizuar kundër të dënuarve të rastit “Monstra”. Sipas zëdhënësit, Ivo Kotevski, protesta ka qenë e paparalajmëruar, ndërsa protestuesit kanë dëmtuar objekte dhe kanë shprehur dhunë, me ç’rast janë lënduar rreth 20 polic dhe disa protestues.
“Sipas informacioneve të para deri më tani, janë ankuar në lëndime rreth 20 zyrtarë policorë dhe disa pjesëmarrës në protesta dhe të gjithë atyre u është dhënë ndihmë adekuate mjekësore. Gjatë intervenimit policorë, janë arrestuar 6 persona...Numër më i madh i huliganëve, të cilët ishin pjesë e turmës ekstremiste, agresive dhe të dhunshme, me gurë dhe mjete të forta pasdite sulmuan punonjësit e Policisë, të cilët po siguronin protestat e paparalajmëruara. Të njëjtët kanë ndezur lëndë nëpër bulevardet e qendrës së qytetit dhe dëmtuan fasadën e Gjykatës Themelore, “Shkupi 1”. Deri tani, sipas njoftimeve të deritanishme është dëmtuar edhe një ekspoziturë e Bankës Komerciale në bulevardin “Krste Misirkov”, shitorja “Kom Diskont” dhe disa automjete private”, deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
Zëdhënësi Kotevski, ka deklaruar se intervenimi i policisë është bërë me qëllim të pengimit të protestuesve për të mos shkuar te godina e Qeverisë.
“Në orën 14, nëpunësit policor, të angazhuar për siguri, në mënyrë profesionale dhe në pajtueshmëri me standardet e procedurave operative, filluan me masa për shpërndarjen e turmës dhe pengimin e turmës ndaj Qeverisë së Maqedonisë. Rreth gjysmë ore më vonë, pasi u penguan në qëllimin e tyre, masa filloi me lëvizje drejt “Bit pazarit”, rreth orës 15 e 30 minuta, rreth 300 persona që protestonin, u tërhoqën në rrugën “Cvetan Dimov”, ndërsa numri më i madh i tyre tashmë janë shpërndarë. Punonjësit e Policisë edhe më tej vazhdojnë me sigurinë e lokacioneve, të cilat paraprakisht u konfirmuan si më kritike. Ministria e Punëve të Brendshme, do t’i përcjellë edhe rrjetet sociale, përmes së cilave zhvillohej edhe mobilizimi për këto protesta të dhunshme dhe apelon që qytetarët të mos lejojnë të manipulohen dhe involvohen në çfarëdo qoftë prishje të rendit publik”, theksoi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
MPB, ka deklaruar se në bazë të xhirimeve të policisë dhe videove të publikuara në rrjetet speciale, do të vazhdojë të punojë në identifikimin e protestuesve tjerë, ndaj të cilëve do t’i marrë të gjitha masat ligjore.
MEFAIL ISMAILI
