Maqedoni

VMRO-DPMNE, referendum për zgjidhjen e kontestit me emrin; Shekerinska, viti i ardhëshëm kyç për integrimet dhe emrin

16.12.2017 18:05

Zgjidhja e kontestit me emrin nuk është ekskluzivitet i politikanëve, të shumicës parlamentare...

Zgjidhja e kontestit me emrin nuk është ekskluzivitet i politikanëve, të shumicës parlamentare, kanë vlerësuar nga VMRO-DPMNE.

Nëpërmjet një kumtese me shkrim, VMRO-DPMNE bën të ditur se do të kundërshtojë tentimet që shumica parlamentare vetë të zgjedh çfarëdo ndryshimi të emrit pa u shprehur për këtë paraprakisht qytetarët në referendum.

“VMRO-DPMNE nuk do të pranojë ndryshim të Kushtetutës, me qëllim që të ndryshohet emri kushtetues i Republikës së Maqedonisë. VMRO-DPMNE nuk do të pranojë ide dhe propozime që do të kanosnin popullin maqedonas dhe identitetin nacional maqedonas, mëvetësinë e kombit, gjuhës dhe kulturës maqedonase”, thuhet në kumtesë.

Nga VMRO-DPMNE poashtu theksojnë se mbeten fuqishëm të përkushtuar në procesin e integrimit të vendit në BE dhe NATO, me çka do të garantohej stabiliteti rajonal dhe zhvillimi ekonomik.

Nga ana tjetër Minsitreja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska në një intervistë për “Gardian” paralajmëron se viti i ardhëlshëm është kyç për proceset integruese dhe zgjidhjen e kontestit 26 vjeçar me emrin. 

“Shumica e njerëzve do të pranojnë kompromis modest dhe racional, derisa janë të bindur se zgjidhja i hap perspektivat për ardhmërinë dhe nuk e rrezikon identitetin tonë, krenarinë ose karakteristikat etnike. Që të ketë zgjidhje të qëndrueshme, ne duhet të konfirmojmë para qytetarëve tanë se qëllimet tona për anëtarësim në BE dhe NATO janë realiste”, thekson ministrja Shekerinska.

Ajo njëherit pret që edhe pala greke të jetë njëjtë e përkushtuar në zgjidhjen e këtij kontesti.

REXHEP QAMILI