Maqedoni

Alagjozovski: Ndërpritet restaurimi i xhamisë Ali Pasha në Ohër

17.12.2017 13:02

Ministri i kulturës Robert Alagjozovski njoftoi ndërprerjen e restaurimit të Xhamisë pesë-shekullore Ali Pasha në Ohër...

Njoftimi i ministrit Alagjozovski, u bë pas takimit në Ohër, me drejtorët e institucioneve kulturore të këtij qyteti. “Ne do të ndalojmë projektin në mënyrë që të gjejmë një zgjidhjeje të përbashkët.

Nuk do të kishim lejuar që atje të ndërtohet dhe me atë ndërtim të shkaktohen tensione etnike, dhe i njëjti të jetë jashtë procedurave ligjore.

Në këtë drejtim jemi të qartë”, tha ministri Alagjozovski. Sipas tij, shteti, por edhe ai në cilësi të ministrit, nuk janë kundër restaurimit të monumenteve kulturore-historike.

”Nuk kemi asgjë kundër restaurimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, përfshirë këtu edhe objektet fetare, mirëpo jemi të pajtimit dhe dëshirojmë të zbatohen procedurat ligjore. Liritë fetare janë të garantuara me kushtetutë, por fatkeqësisht çështjet si kjo shfrytëzohen edhe për nxitje të tensioneve ndëretnike dhe ndërfetare. Ne do të donim ta shikonim trashëgiminë kulturore dhe kulturën si një pasuri e cila na afron”, tha Alagjozovski, duke shtuar se veprimi i radhës i tyre është në drejtim të uljes së tensioneve, ndërsa “fatin e xhamisë së Ali Pashës ta lëmë në duar të ligjit”.

Nga ana tjetër Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, dit më parë ka deklaruar se restaurimi i Xhamisë së Ali Pashës në Ohër, bëhet në përputhje të plotë me ligjet dhe në përputhje me projektin e përgatitur i cili ka marrë të gjitha lejet e nevojshme.

Reagimi i kreut ë BFI-së erdhi pas reagimit të qytetarëve të Ohrit, të mbështetur nga OJQ “Sovest” sipas të cilëve restaurimi i Xhamisë nuk është në përputhje me ligjin.