Plotësimi i vendeve boshe në qeveri, kuvendi pret propozimin e Zaevit

18.12.2017 17:19

Përkundër deklarimeve të kryeministrit Zoran Zaev se sot do t’i parashtronte Kuvendit....

Përkundër deklarimeve të kryeministrit Zoran Zaev se sot do t’i parashtronte Kuvendit propozimet e tij për plotësimin e vendeve vakante në qeveri, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Vjollca Bajrami nga kabineti i kryetarit të Kuvendit njofton se një dokument i tillë nuk ka mbërritur në kabinetin e kryeparlamentarit dhe as është arkivuar në arkivin e Kuvendit.

Ndërkaq zëv/kryeministri Bujar Osmani, vlerëson se plotësimi i ekipit qeveritar mund të ndodh pas datës 25 dhjetor dhe se mbetet ende kohë për konsultime brenda koalicionit qeverisës.

“Sa jam i informuar, parlamenti para datës 25 dhjetor nuk do të mund të shqyrtojë propozime nga qeveria, për shkak se më 22 është zgjedhja e prokurorit, pastaj është buxheti, dhe mendoj që prej 25 e tutje mund të shqyrtohen propzoime nga qeveria kështuqë ka edhe një hapësirë disaditore për t’u bërë konsultime të brendëshme. Deri në këtë moment nuk ka një vendim për rikonstruim më të gjërë. Kryesisht do të mbushen vendet vakante të ministrva edhe zëv/ministrave.”  - tha zëv/kryeministri, Bujar Osmani.

Kreu i RDK-së, Vesel Memedi, konfirmoi mbështetjen për këtë qeveri edhe në rast të riformatimit të saj dhe pa pjesëmarrjen e partisë së tij në ekzekutiv.

“Unë mendoj se mandatari ishte shumë i qartë se nuk do të ketë riformatim të qeverisë por vetëm mbulesë të atyre shprazëtirave që janë krijuar por nëqoftëse RDK dhe Vesel Memedi nuk do të jetë pjesë e qeverisë asnjëherë nuk do më vjen në mendje që të mos e votoj atë qeveri që është reformatore. Fare nuk është e rëndësishme nëse është Veseli pjesë apo jo.” – tha deputeti i RDK-së, Vesel Memedi.

Përkundër spekulimeve për riformatim të qeverisë dhe këmbimit të resorëve, partia Aleanca për shqiptarët, këmbëngul në respektimin e marrëveshjes për formimin e qeverisë, ku kësaj partie i takuan dy ministri, ajo e Shëndetësisë dhe Ministria e Pushtetit Lokal. (Shpëtim Nuredini, TVM2)