Botë

ShBA, shtyhet vizita e Pences në Izrael

19.12.2017 12:38

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, e ka shtyrë vizitën e tij në Egjipt dhe Izrael, që ishte paraparë për këtë javë...

Zyra e tij tha se është vendosur shtyrja e udhëtimit për të siguruar kalimin në Senat të reformës gjithpërfshirëse të taksave, kështu që ai do të mbetet në Uashington dhe sot më vonë nuk udhëton për në Lindjen e Mesme.
 
Pritet që tash ky udhëtim i Pences të realizohet në muajin janar. Turneu i tij në Lindjen e Mesme ishte planifikuar me gjithë trazirat në rajon lidhur me njohjen e Jerusalemit për kryeqytet të Izraelit nga ana e presidentit amerikan, Donald Trump. Presidenti i autoritetit palestinez, Mahmud Abbas, e ka anuluar takimin e tij të planifikuar me Pence pas shpalljes për Jerusalemin, më herët këtë muaj.
 
Takimin me zyrtarin e lartë amerikan e kanë anuluar edhe klerikët e lartë myslimanë dhe koptët e krishterë në Egjipt. Mbrëmë, Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur veto ndaj një propozim-rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilën refuzohej vendimi i Trumpit. Anëtarët e tjerë të këshillit votuan në favor të propozimit, që ishte paraqitur nga Egjipti.