Maqedoni

Janeva: PPS ka nisur hetime për shtatë raste të reja

19.12.2017 15:45

Prokuroria Speciale ka nisur hetime edhe për shtatë raste të reja në të cilat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim dhe vepra të tjera penale janë të dyshuar 17 persona....

Bëhet fjalë për lëndët e ashtuquajtura “Shërbimet e huaja”, që ka të bëjë me blerjen e pajisjeve ilegale për përgjim. Lënda e dytë është  “Pikëpagesa”, që ka të bëjë me deputeten e VMRO-së, Silvana Boneva, e cila dyshohet se ka keqpërdorur buxhetin shtetëror duke kërkuar para “për rrugë” edhe pse ka jetuar në Shkup.
 
Lënda e tretë është “Rentgen”, cila ka të bëjë me ish-ministrin e Shëndetësisë, Nikolla Todorov, i cili dyshohet për kurdisje të tenderëve për të blerë pajisje mjekësore së bashku me gazetaren, Ivona Talevska.
 
Lënda e katërt “Producenti” ka të bëjë me ish-ministrin e Bujqësisë, Lupço Dimovski, i cili dyshohet për larje parash nëpërmjet një programi të emituar në TV Sitell. Lënda e pestë “Liderët” ka të bëjë me ndërtimin pa leje të një objekti përballë një ambasade.
 
Lënda e gjashtë “Tarifa 2″ ka të bëjë me veprën penale në ELEM të personit që tanimë është i dyshuar në rastin “Tarifa 1″ dhe lënda e shtatë “Transportues 2″ është vazhdimësi e lëndës “Transportuesi”, duke u zgjeruar akuza edhe me persona të tjerë. 
 
“Pas veprimeve parahetimore disamujore, dhashë urdhër për realizimin e procedurave hetimore ndaj 17 personave të cilët ngarkohen me kryerjen e veprave penale keqpërdorim të pozitës zyrtare, mashtrim dhe vepra tjera penale”,- deklaroi Katica Janeva nga PPS. 
 
Po ashtu prokurorja speciale, Katica Janeva, bëri të ditur se kësaj prokurorie i janë kaluar edhe lëndët “Shkupi 2014”, “Aktor” dhe “Kosmos”. Siç bëri të ditur prokurorja speciale, Katica Janeva, këto lëndë i kanë marrë nga Prokuroria për Krimit të Organizuar dhe Korrupsion dhe për to tanimë është hapur edhe procedura parahetimore. Njëkohësisht, Janeva ka kërkuar që të miratohen vendime përkatëse me qëllim që Prokuroria pas skadimit të mandatit në vitin 2020 të funksionojë në korniza të Prokurorisë Themelore Publike që të ndjek korrupsion nga profili i lartë.
 
“Mandati ligjor i PPS-së nuk është i skaduar, prandaj shpresojmë se do të ndërmerren masa për implementimin e plotë të strategjisë për reforma në sektorët gjyqësorë nga ana e qeverisë dhe në afat sa më të shpejtë kjo prokurori do të veprojë në pajtueshmëri me afatet, Kodin Penal dhe Ligjin për procedurë penale në funksion të realizimit të misionit për çka është formuar kjo Prokurori”,- tha Katica Janeva nga PPS.
 
Janeva njëherit e përshëndeti vendimin e Gjykatës së Apelit që bisedat e përgjuara të mund të shfrytëzohen si dëshmi në procedurat gjyqësore.
 
GYLTENE SINANI