Maqedoni
Këshilli për Reforma në Drejtësi, formohet grupi i punës për rregulloren, Saliji mohon zërat për dorëheqje
19.12.2017 16:17
Këshilli për Reforma në Drejtësi do të vazhdojë të funksionojë me tempo më të shpejtë në drejtim të zbatimit të detyrimeve për t’u reformuar sistemi i drejtësisë në Maqedoni...

Këshilli për Reforma në Drejtësi do të vazhdojë të funksionojë me tempo më të shpejtë në drejtim të zbatimit të detyrimeve për t’u reformuar sistemi i drejtësisë në Maqedoni, thotë ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji.
Ai informoi se gjatë mbledhjes së sotme të këshillit në mënyrë konstruktive është formuar grupi i punës, i cili do të përpilojë rregulloren dhe mënyrën e punës së mëtejshme të këshillit, me të cilin do të udhëheq profesoresha, Mirjana Najçevska.
Ministri Saliji, njëherit edhe kryetar i këshillit, mohoi zërat për tërheqje të tij nga këshilli, ndërsa theksoi se i vetmi anëtar për të cilin ka dilemë se a do të vazhdojë me punë në këshill është profesori universitar, Gordan Kallajxhiev.
“Unë jam edhe më tej kryetar i këshillit. Kemi formuar grupin e punës, i cili do të propozojë zgjidhje për vërtetimin e saktë të mënyrës së punës të këshillit në të ardhmen. Të gjithë 27 anëtarët janë të njëjtë, mbetet e paqartë deklarata e profesorit, Gordan Kallajxhiev, i cili tha se do të tërhiqet nga këshilli, por deri më tani nuk kam marrë shkresë zyrtare se a do të tërhiqet nga këshilli, unë do të bisedoj edhe personalisht me profesorin në mënyrë që ta tejkalojmë këtë problem”,- deklaroi ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji.
Ndërkohë, profesori universitar, Ljubomir Frçkovski, tha se edhe pse në atmosferë të tensionuar por konstruktive, është mirë që këshilli formoi komisionin që do t’i shqyrtojë të gjitha mundësitë në legjislativen e tashme të Maqedonisë për gjetje të mënyrës për përsëritje të procedurave në ato raste ku ka indikacione për shkelje serioze të të drejtave të njeriut.
“Nuk janë vetëm proceset politike, gjithmonë ka pasur indikacione për shkelje të të drejtave të njeriut, për shkak se proceset politike janë katër apo pesë, ndërsa ka shkelje të konsiderueshme të të drejtave të njeriut, të cilat nuk mund të definohen si politike apo të themi dramatike, por bëhet fjalë për dëshmitarë të mbrojtur të rrejshëm, apo shkelje të së drejtës së privatësisë”,- tha profesori universitar, Ljubomir Frçkovski.
Këshilli për Reforma në Drejtësi përbëhet nga gjithsej 27 anëtarë të cilët vijnë nga sektori i gjyqësisë, profesorë dhe këshilltarë shtetërorë.
ERSAN PAJAZITI
