Maqedoni

Liria e shprehjes përmes praktikës së GJEPDNJ-së, Lazarova: liria e shprehjes patjetër të respektohet

19.12.2017 17:41

Liria e shprehjes patjetër të respektohet, ndërkaq në praktikat e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut është i përkufizuar...

Liria e shprehjes patjetër të respektohet, ndërkaq në praktikat e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut është i përkufizuar qartë se kur shteti mund të intervenojë në raport me kufizimin e lirisë së shprehjes.
 
Kështu u shpreh ish-gjykatësja në Gjyqin Europian për të Drejtat e Njeriut, Mirjana Lazarova – Trajkovska, e cila njëherit promovoi publikimin “Liria e të shprehurit nëpërmjet praktikës së Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut”.
 
Theks të veçantë në këtë publikim ajo i ka kushtuar aktgjykimit “Selmani dhe të tjerët kundër Maqedonisë”, që lidhej me zhvillimet e 24 prillit të vitit 2012 në Kuvendin e Maqedonisë. 
                                                                                                           
“Publikimi ka për qëllim që t’i përcjellë parimet e përgjithshme nëpërmjet të drejtave më të rëndësishme të cilat prekin të drejtën për liri të shprehjes, siç është e drejta për privatësi dhe nëpërmjet praktikave të gjykatës të mësojë se si të balancohet liria e shprehjes në mënyrë që të mos preket e drejta e privatësisë dhe të mos vijë deri te cenimi i të drejtave të tjera”,- deklaroi autorja e publikimit, Mirjana Lazarova – Trajkovska.
 
Euroambasadori, Samuel Zhbogar, tha se ky publikim veç gazetarëve do të jetë në shërbim të të gjithë aktorëve shoqërorë që janë pjesë e hapësirës publike, përfshirë politikanët, deputetët, gjykatësit, artistët dhe të tjerë.
 
Ndërkaq, ambasadori i Francës, Kristian Timonie, tha se publikimi rikujton përgjegjësinë. 
 
“Pikërisht nëpërmjet rrjeteve sociale, çdo qytetar ka qasje në hapësirë publike, kështu që edhe paraqitet nevoja që secili në shoqëri të jetë i vetëdijshëm për lirinë e shprehjes të mendimit të tyre që kanë, por edhe për përgjegjësinë të cilën kjo e implikon”,- tha ambasadori i BE-së në RM, Samuel Zhbogar.             
                                                                                                                       
“Ky publikim ka një rëndësi të madhe, pasi që na rikujton në përgjegjësinë e madhe të cilën ju e mbani”,- theksoi ambasadori i Francës në RM, Kristijan Timonie.
 
Ajo që gazetarët kërkojnë është vetëm ajo që si kornizë e garanton Gjykata Europiane, tha me këtë rast kryetari i Shoqatës së gazetarëve, Naser Selmani.
 
Publikimi është përgatitur në kuadër të projektit “Neni i 10 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut”, i cili mund të mësohet nga rasti: “Selmani dhe të tjerët kundër Maqedonisë”, të financuar nga Ambasada e Francës në Maqedoni dhe projektit “Rrjeti i gazetarëve për liri të medieve” të financuar nga BE.
 
NAIM RAMADANI