Maqedoni
Gjykata Themelore Shkup 2 refuzoi padinë e familjes Jusufi nga Luboteni
19.12.2017 18:31
Gjykata Themelore - Shkup 2 ka vendosur të mos dëmshpërblejë familjen Jusufi nga Luboteni...

Gjykata Themelore - Shkup 2 ka vendosur të mos dëmshpërblejë familjen Jusufi nga Luboteni, të cilët humbën familjarin e tyre, Rami Jusufi, në Masakrën e Lubotenit më 12 gusht të vitit 2001.
Padinë e familjes Jusufi gjykata e vlerësoi si të pabazë me arsyetimin se nuk mund të vërtetohet se Johan Tarçullovski prej ku e ka marrë vendimin për veprim. Avokati, Asmir Alispahiq, paralajmëroi ankesë në instancat më të larta gjyqësore.
“Si bazë me të cilën është hedhur poshtë padia është pjesa e dhënies së urdhrit. Askund në vendimin e Gjykatës së shkallës së dytë nuk ka udhëzim për dhënien e urdhrit eventual. Është e saktë se në vendimin e Gjykatës së Hagës nuk mund të precizohet nëse ai ka marrë urdhër prej dikujt dhe këtu prejudikohet përgjegjësia individuale. Por, Gjykata e vetëdijshme, nuk veproi sipas vendimit të Gjykatës së shkallës së dytë dhe përsëri në mënyrë kritike të analizojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare dhe përsëri nuk pranoi kërkesën e padisë, sepse padyshim se ekziston dëshmi se ai për momentin ka qenë i punësuar në MPB. Unë ju them se ai ka qenë i deleguar me punë në kabinetin e kryetarit të atëhershëm të shtetit, Boris Trajkovski”,- deklaroi avokati, Asmir Alispahiq.
Familja Jusufi nga viti 2004 zvarritet gjykatave të vendit në kërkim të drejtësisë.
Ata si palë e dëmtuar kërkuan 1 milion euro dëmshpërblimit nga shteti, konkretisht Ministria e Punëve të Brendshme dhe Johan Tarçullovski, i cili edhe në bazë të aktvendimit të plotfuqishëm të Gjykatës Ndërkombëtare ka qenë pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Rami Jusufi ishte në mesin e 10 civilëve të vrarë në aksionin policor të vitit 2001 në fshatin Lubeten.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
