Botë
Kryeprokurorja Marku merr detyrën, vazhdojnë reagimet e opozitës
19.12.2017 19:23
Arta Marku ka nisur zyrtarisht detyrën e saj si kryeprokurore këtë të martë, ndërsa në zyrë ajo është pritur nga ish-kryeprokurori, Adriatik Llalla...

Arta Marku ka nisur zyrtarisht detyrën e saj si kryeprokurore këtë të martë, ndërsa në zyrë ajo është pritur nga ish-kryeprokurori, Adriatik Llalla, i cili ia ka dorëzuar zyrën dhe institucionet. Marku ka nisur menjëherë nga puna ku në takimin e saj të parë ajo ka qenë në parlament në kuadër të një takimi me institucionet e pavarura për nxitjen e reformës në drejtësi.
Ndërkohë, një ditë pas protestës ka ardhur edhe reagimi i Bashkimit Europian.
“BE-ja dënon dhunën në protestat e djeshme dhe sjelljen e anëtarëve të Parlamentit në seancën plenare. Proceset demokratike, qofshin ato seanca parlamentare apo protesta, duhen lejuar të zhvillohen në mënyrë paqësore”,- thuhet në reagim.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, pati një tjetër deklaratë sot, ku u shpreh se beteja për drejtësi do të vazhdojë në javët e para të janarit me protesta masive.
Ndërkohë, policia ka vendosur sot procedim penal në gjendje të lirë për 10 deputetët, Monika Kryemadhi, Edi Paloka, Flamur Noka, Ervin Salianji, Floida Kërpaçi, Gent Strazimiri, Klevis Balliu, Grida Duma, Kejdi Mehmetaj dhe Endrit Brahimllari.
LULJETA NDOKA
