Botë

Moskë, Vuçiq takon presidentin rus, Putin

19.12.2017 19:48

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pritur në takim homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq...

Bashkëpunimi mes dy vendeve është duke u rritur, janë pajtuar dy presidentët, ndërsa marrëdhëniet në mes të dy palëve në të ardhmen mund të arrijnë “në nivelin më të lartë”, kanë theksuar ata.

Vuçiq, i cili ka biseduar në gjuhën ruse me Putinin, ka theksuar rritjen e volumit tregtar në mes të dy shteteve. Ai ka përgëzuar Putinin për vendimin e tij që të garojë përsëri për president të Rusisë.

Duke e përshkruar marrëdhënien ruso-serbe si “partneritet strategjik”, Kremilini ka thënë para takimit se Vuçiq dhe Putin do të diskutojnë marrëdhëniet bilaterale si dhe çështjet rajonale e ndërkombëtare.

Përmes një deklarate është thënë se planifikohet që të dy palët të nënshkruajnë një varg dokumentesh gjatë vizitës së presidentit Vuçiq në Rusi.

Vuçiq është i shoqëruar nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daciq, derisa ata e kanë cilësuar vizitën si shumë “të rëndësishme”.

“Ky është konfirmim i relacioneve tona të mira”,- ka thënë Daçiq pasi është takuar me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

“Qëllimi ynë është që të rregullojmë marrëdhëniet në të gjitha fushat”,- ka shtuar ai.

Në një intervistë të këtij muaji, Vuçiq i ka thënë Agjencisë së lajmeve ruse TASS, se Serbia planifikon blerjen e helikopterëve ushtarakë dhe sistemin e mbrojtjes ajrore nga Rusia.