Maqedoni

Rasti “Sopoti”, Bajrami: Dëshminë e dhashë nën presion dhe dhunë

20.12.2017 14:13

Gjykimi për rastin “Sopoti” ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit, Ramadan Bajrami, si dëshmi kryesore mbi të cilën bazohet aktakuza...

Ramadan Bajrami para trupit gjykues tha se për të satën herë përsërit qëndrimin se ai nuk ka asnjë njohuri me këtë rast dhe se deklaratën në fazën parahetimore e ka dhënë nën dhunë fizike dhe psikike.
 
Ai në detaje sqaroi se si inspektorët, pasi që e kanë arrestuar dhe mbyllur në vend të panjohur, pas shumë maltretimeve të njëpasnjëshme, përfshi djegien me cigare në mes të ballit, e kanë detyruar të nënshkruajë deklaratë të rrejshme me të cilën ai e pranon fajin për vete dhe të akuzuarit e tjerë. Ai tha se ka qenë i frikësuar tejmase pasi një inspektor i ka thënë se nëse nuk pranon të nënshkruajë se e pranon fajin, mund të ndodhë që mos t’i gjenden as gjurmët, si shumë personave të tjerëve.
 
Deklaratën e tij Bajami e ka ndryshuar para gjykatës në momentin kur është ndjerë më i sigurt, në prani edhe të avokatit mbrojtës. Ai më pas sqaroi se ditën kur ka ndodhur shpërthimi në Sopot ai ka qenë jashtë shtetit, ndërsa e habit fakti që ai në fillim paraqitet si i akuzuar ndërsa më pas si dëshmitar.
 
“Prej vitit 2003 deri më 2017 nuk di se sa herë e kam dhënë deklaratën, shumë herë. E kam thënë për se di sa herë të njëjtën deklaratë dhe prapë do ta them të njëjtën, të vërtetën se si ka ndodhur. Mendojmë se do të bëhet mirë edhe për ne një ditë”,- deklaroi dëshmitari, Ramadan Bajrami. 
 
Gjatë seancës së sotme nga Prokuroria Speciale u propozuan gjashtë dëshmitarë, inspektorë të cilët supozohet se kanë marrë në pyetje Ramadan Bajramin në vitin 2003. Pala mbrojtëse thekson se këta dëshmitarë do të dëshmojnë për rrethanat e dhënies së deklaratës ku nuk përjashtohet përgjegjësia e tyre penale. Përveç lirimit dhe shpalljes të pafajshëm, tjetër aktvendim për këtë rast nuk mund të vijë në shprehje, u shpreh avokati mbrojtës, Vullnet Paçuku. 
 
“Deklarata e Ramadan Bajramit sot ishte edhe në më shumë detaje dhe kjo deklaratë nuk dallon aspak nga deklaratat të cilat i jep në seancat kryesore. Këto deklarata dallojnë vetëm nga procedura parahetimore dhe hetime kur ai i ka dhënë deklaratat në bazë të dhunës që i është bërë në kundërshtim më Ligjin për procedurë penale. Deklaratat që i jep pas asaj faze deri më sot, që janë më shumë se dhjetë, i jep të njëjtat dhe me shpjegime në detaje se çka ka ndodhur dhe çfarë është përdorur ndaj tij që të detyrojnë të pranojë dhe nënshkruajë deklarata të rrejshme. Këta inspektorë që kanë ushtruar dhunë do të ftohen të japin deklaratë para gjykatës dhe do të shihet mundësia nëse ata do të mbajnë përgjegjësi penale”,- theksoi avokati, Vullnet Paçuku.                                                                                                      
Në këtë rast për veprën “terrorizëm” akuzohen 10 persona. Ata ngarkohen se kanë vendosur mjet shpërthyes në rrugën lokale Sushevë – Sopot, ku humbën jetën dy ushtarë polakë të NATO-s dhe një shtetas i Maqedonisë. 
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI