Maqedoni

Shilegov sqaron masat për uljen e ndotjes, masat do të jenë në fuqi deri në muajin mars

20.12.2017 14:33

Qyteti i Shkupit deri në fund të këtij muaji do të publikojë hartën gjeografike të ndalesave të përkohshme të automjeteve për furnizim me mall në qendër të qytetit...

Kryetari i kryeqendrës, Petre Shilegov, sqaron se kjo masë është ndërmarrë për t’u përballur me sukses me pasojat e ajrit të ndotur dhe e njëjta do të zgjasë deri në muajin mars.
 
“Ndalesa e përkohshme e automjeteve për furnizimin e mallrave përfshin zonën e “Ringut të Vogël”, mirëpo në ditët në vijim qytetarëve dhe subjekteve juridike do t’i informojmë në kohë për pikat ku do të vlejë kjo ndalesë”,- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
 
Sa i përket paralajmërimit për shpenzimet shtesë të qytetarëve për vendosjen e kalorimetrave matëse të ngrohjes qendrore, Shilegov thotë se duhet gjetur zgjidhje për të mos ngarkuar buxhetin e qytetarëve me shpenzim shtesë.
 
“Do të duhet të gjendet mënyrë që shpenzimet për vendosjen e  kalorimetrave të mos jenë barrë të qytetarëve. Ne do të vazhdojmë të stimulojmë kyçjen masovike të ngrohjes qendrore si variant më ekologjik dhe më i lirë”,- tha Shilegov.
 
Shilegov këto komente i bëri në promovimin e katër pikave të reja për mbushje të automjeteve elektrike që do të shërbejnë për karikim falas të automjeteve.
 
Në Maqedoni vitin e kaluar ka pasur 80 automjete elektrike, prej të cilave 47 janë në pronësi të qytetit të Shkupit.
 
Në këtë drejtim, Shilegov paralajmëroi edhe 100 milionë denarë për subvencionimin e autobusëve të ri elektrikë për vitin e ardhshëm. 
 
REXHEP QAMILI