Maqedoni

BE: Sanksione ndaj Polonisë, shkas ligjet gjyqësore

20.12.2017 16:05

Komisioni Europian ka ndërmarrë një hap për të imponuar sanksione mbi Poloninë lidhur me ligjet gjyqësore që kanë shkelur vlerat themelore demokratike të Europës...

Komisioni Europian zbatoi zyrtarisht  Nenin 7, një procedurë që përfundimisht mund të çojë në humbjen e të drejtës së Polonisë për të votuar. Nënkryetari i KE-së, Jan Timermans, tha se edhe përskaj përpjekjeve gjatë pothuajse dy viteve për të filluar dialog konstruktiv me Qeverinë polake, Komisioni ka vendosur se ekziston rrezik për shkelje serioze të qeverisjes së të drejtës në Poloni.
 
“Dua të jem shumë i qartë. Është e rëndë që kemi vendosur të iniciojmë Nenin 7. 1. Por, faktet nuk na lënë asnjë zgjedhje. Unë qëndrova para jush në korrik, kur thash qartë se kishim arritur pothuajse situatën ku do të na duhej që të thirret Neni 7. 1. Situata që nga ajo kohë nuk është përmirësuar, por është përkeqësuar, kështu që nuk kemi mundësi tjetër përveçse ta bëjmë këtë”,- deklaroi nënkryetari i KE-së, Jan Timermans.
 
Ministri polak i drejtësisë, Zbigniew Ziobro, konfirmoi vendimin e marrë nga Brukseli. Varshava, përveç kësaj, pritet të humbë miliarda euro, të cilat i merr në formë ndihmash nga fondet e BE-së.
 
BELINDA KOKA-ADEMI