Xhaferi takon Ruçin në Tiranë, angazhim për më shumë projekte të përbashkëta

20.12.2017 16:19

Për herë të parë në histori, një konferencë e krerëve të parlamenteve të Shqipërisë dhe Maqedonisë tingëlloi shqip....

Për herë të parë në histori, një konferencë e krerëve të parlamenteve të Shqipërisë dhe Maqedonisë tingëlloi shqip.

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti homologun e tij shqiptar nga Shkupi, Talat Xhaferin, në një takim për të shtruar trasenë e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe për të adresuar çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve nga marrëveshjet e mëparshme.

“Bëj ftesë për bashkëpunim të vërtetë më përmbajtësor në të gjitha sferat, duke iu referuar marrëveshjeve të sëndërtimit të mirëqenies dhe bashkëpunimit të qytetarëve tanë dhe vendeve tona”,- deklaroi kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.

“Ramë dakord të mbështesim projekte për ndërtimin e linjës ndërlidhëse 4 mijë kilovatëshe mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Gjithashtu edhe zbatimin e projekteve madhore, përfshirë Rrugën e Arbërit në segmentin Bllatë - Shkup dhe pjesën e korridorit 8, që kalon nga Durrësi në Elbasan e në Shkup. Vlerësuam përpjekjet për lidhjen hekurudhore mes dy vendeve sidomos zgjatimin nga Kërçova në Ohër”,- tha kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Nuk janë vetëm projektet mes dy vendeve gjërat që i bashkuan dy kryeparlamentarët, Ruçi dhe Xhaferi. Pres-konferencës rreth projekteve nuk kishin si t’i mungonin pyetjet rreth dhunës në kuvend para dy ditësh në Shqipëri dhe mendimi i mysafirit nga Shkupi, që është përballur muaj më parë me dhunën në Kuvendin në Maqedoni në ditën e zgjedhjes së tij.

“Asnjë opozitë e deritanishme nuk ka kërkuar nga anëtarët e tyre t’i kundërvihen me forcë policisë, siç bëri opozita jonë”,- tha Ruçi.

“E drejta për protestë është e drejtë absolute, jam kundër çdo lloj dhune, kundër kuvendit apo çdo institucioni tjetër për shkak se nuk ndaj të njëjtin mendim se dhuna është instrumenti i duhur për të zgjidhur problemet në një sistem demokratik”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Kryeparlamentari Ruçi kërkoi implementimin e shpejtë të Ligjit për gjuhën shqipe. Xhaferi premtoi se është çështje kohe deri në miratimin e këtij ligji që, sipas tij, avancon ndjeshëm përdorimin e gjuhës shqipe në RM.

Sa i përket ngërçit të krijuar nga opozita maqedonase, e që pengon pikërisht miratimin e Ligjit të gjuhëve, mes ligjeve të tjera, Xhaferi është optimist se pas kongresit të VMRO-së gjërat do të kthehen në rrjedhën normale politike.

Xhaferi është takuar edhe me presidentin shqiptar, Ilir Meta, kreun e opozitës shqiptare, Lulzim Basha, ndërsa nesër do të vizitojë edhe banorët e Pustecit. (Migena Gorenca, TVM2)