Spasovski: Sulmi ndaj policisë në Tabanoc, sulm ndaj shtetit

20.12.2017 17:51

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka dënuar sulmin mbi policinë....

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka dënuar sulmin mbi policinë gjatë protestës së VMRO-DPMNE-së në Tabanoc, ku ka mbetur i lënduar një polic, i cili ka kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Kumanovës. Ai tha se e drejta e protestës është e garantuar, por goditja ndaj policit është goditje ndaj shtetit.                                                          

“Dënoj çfarëdo dhune ndaj policisë! E drejta e protestës është e garantuar me kushtetutë dhe un e përkrah atje ku është lejuar dhe pa dhunë ndaj policisë. Nëse kërkojmë policia të kujdeset për sigurinë e qytetarëve dhe shtetit, duhet të kemi respekt ndaj çdo polici që është në kryerje të detyrës. Goditja ndaj policit është goditje ndaj Republikës së Maqedonisë”,- deklaroi Oliver Spasovski nga MPB.     

VMRO-DPMNE: NË TABANOC KISHTE BRUTALITET POLICOR                                        

Ndërkohë, nga VMRO-DPMNE u ankuan për brutalitet policor gjatë protestës në Tabanoc, me ç’rast është arrestuar një protestues, prandaj përkrahës të kësaj partie protestuan para gjykatës në Kumanovë.                

“Në protestën në Tabanoc, në drejtim të Shkupit, ndodhi një brutalitet policor, ku një person u arrestua dhe padrejtësisht u mbajt në stacionin policor pa kurrfarë baze juridike. Sot u mblodhëm këtu të shprehim revolt ndaj brutalitetit policor dhe tërë asaj që ndodhi nga ana e pjesëtarëve të policisë”,- u tha nga VMRO-DPMNE.                                   

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se nga VMRO-DPMNE kanë marrë njoftim se do të bllokojnë çdo ditë vendkalime kufitare. Sot do të ketë bllokadë në vendkalimin kufitar Bogorodica, prej orës 16 deri në orën 18.

Më 21 dhjetor, në periudhën prej orës 17 deri në orën 18 do të ketë bllokadë në vendkalimin kufitar Qafë Thanë, më pas më 22 dhjetor do të ketë bllokadë prej orës 17 deri në orën 18 në vendkalimin kufitar Deve Bair. Bllokadë është paralajmëruar edhe më 24 dhjetor në periudhën prej orës 16 deri në 18 në vendkalimin kufitar në Bogorodicë.

Protestat e VMRO-DPMNE-së po organizohen pas akuzës për rrezikim terrorist ndaj 36 personave lidhur me incidentet e 27 prillit në Kuvend, në mesin e të cilëve edhe ish-ministri i Brendshëm, Mitko Çavkov, dhe gjashtë deputet të saj, tre prej të cilëve ndodhen në paraburgim.

Po ashtu për të njëjtat arsye edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së po bojkotojnë punimet kuvendore. (Gyltene Sinani, TVM2)