Maqedoni
Protestuesit e VMRO-DPMNE-së sot bllokojnë për një orë vendkalimin Qafë Thanë
21.12.2017 12:18
Pas bllokadës së vendkalimeve Tabanoc dhe Bogorodicë, sot përkrahësit e VMRO-DPMNE-së do të bllokojnë për një orë qarkullimin në vendkalimin kufitar Qafë Thanë...

Puna në këtë pikë kufitare do të pezullohet prej orës 17:00 deri në 18:00, ndërsa më pas puna rifillon normalisht. Për këtë bllokadë njëorëshe është njoftuar edhe Drejtoria shqiptare e Kufirit në Korçë.
Ndërsa krahas bllokimit të pikave kufitare VMRO-DPMNE vazhdon edhe me protestat. Mbrëmë u protestua para burgut të Shutkës në Shkup me kërkesën për lirimin e të paraburgosurve nën akuzën për kërcënim terrorist lidhur me dhunën e 27 prillit në kuvend. Lideri në dorëheqje i kësaj partie, Nikolla Gruevski, tha se të arrestuarit janë të pafajshëm, por janë në paraburgim sepse janë patriot.
“Nëpërmjet jush dhe shumë hapa të tjerë është e dukshme se dëshirojnë të thyhet VMRO-DPMNE, e nëpërmjet kësaj të dobësohet edhe shpirti i maqedonasit dhe shpirti patriotik i secilit që e do Maqedoninë ashtu siç është”,- tha Gruevski para burgut të Shutkës.
Ndërkohë, Komiteti qendror i kësaj partie sot do të marrë vendim përfundimtar nëse do të mbahet kongresi i jashtëzakonshëm i cili është paralajmëruar për këtë fundjavë në Vallandovë. Mbrëmë në Komitetin Ekzekutiv iniciatorët e kërkesës për shtyrjen e kongresit paraqitën arsyet e tyre pse nuk duhet të mbahet kongresi dhe pse nuk duhet të zgjidhet kryetari i ri i partisë në mënyrë jodemokratike.
Lideri në dorëheqje, Nikolla Gruevski, mendon se vendimi për mbajtjen e kongresit është sjellë njëzëri dhe se ai duhet të mbahet. Për shtyrjen e kongresit duhet të votojnë dy të tretat e anëtarëve të Komitetit Qendror të VMRO-DPMNE-së, ka sqaruar Gruevski.
