Maqedoni

Osmani për eurointegrimet: Në 2018-n, gjasa të mëdha për fillimin e bisedimeve

21.12.2017 14:59

"Viti 2018 paraqet një vit historik për proceset eurointegruese në Republikën e Maqedonisë...

"Viti 2018 paraqet një vit historik për proceset eurointegruese në Republikën e Maqedonisë, ku si asnjëherë më parë nuk është hapur një dritare mundësie që të bëjmë hap serioz dhe përfundimisht t’i mbyllim çështjet për BE-në dhe NATO-n, deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, në një punëtori në “Sfidat 2018” në Strugë.
 
Nga Kabineti i zëvendëskryeministrit theksojnë se është e nevojës që Sekretariati të përgatitet për sfidat të cilat i sjell viti 2018, si vit në të cilin do të sillen vendime të rëndësishme nga ana e organeve të Bashkimit Europian për integrimin e Republikës së Maqedonisë.
 
"Përderisa me sukses i adresojmë reformat e parapara, por edhe në përputhje me adresimin e suksesshëm të çështjeve të hapura politike, ekziston mundësi serioze që në vitin 2018 t’i fillojmë negociatat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian",- ka thënë Osmani, duke shtuar se Sekretariati për Çështje Europiane, si strukturë më profesionale dhe më e përgatitur administrative, duhet që në kohë t’i parashikojë këto ngjarje dhe në mënyrë adekuate ta përgatisë ekipin, strukturën dhe administratën për fillimin eventual të negociatave.
 
Punëtoria “Sfidat 2018” realizohet me mbështetje të drejtpërdrejtë nga ana e Agjencisë gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar - GIZ, ku zëvendëskryeministri Osmani dhe kabineti i tij do t'i përcaktojnë planet dhe aktivitetet për përgatitjen e Sekretariatit për Çështje Europiane për sfidat me të cilat do të ballafaqohet Republika e Maqedonisë në rrugën e integrimeve europiane.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU