Maqedoni
Çështja e Pustecit, Xhaferi: një pikë ujë në parregullsitë zgjedhore në RM; Xhaferi: marrëveshjet e Pogradecit, të marrin formë ligjore
21.12.2017 15:43
Banorët e Pustecit mund të kenë mbetur pa kryetar komune, por Pusteci nuk ka mbetur pa përkujdesjen e shtetit amë...

Banorët e Pustecit mund të kenë mbetur pa kryetar komune, por Pusteci nuk ka mbetur pa përkujdesjen e shtetit amë, përfaqësuesit më të lartë të të cilit dy herë tashmë kanë shkelur në këtë fshat kufitar të minoritetit maqedonas në vetëm një javë.
Sot ata u vizituan nga kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, që përfundon kështu edhe vizitën e tij treditore zyrtare në Shqipëri. Çështja e kreut të Pustecit, që gjendet në arrest shtëpiak në Maqedoni, nuk u diskutua në takim.
Punët në komunë vazhdojnë normalisht. Kryeparlamentari Xhaferi në respektim të prezumcionit të pafajësisë pret fjalën e fundit të drejtësisë, por duke potencuar se Pusteci është vetëm një çështje e vogël në parregullsitë e mëdha që janë bërë gjatë zgjedhjeve në Maqedoni.
“Pusteci është një pikë në ujë në detin e madh të parregullsive zgjedhore në më shumë procese zgjedhore në RM. Çdonjëri është i barabartë para ligjeve dhe duhet të përgjigjet gjithsesi për veprimet e tij, por duhet të respektojnë edhe prezumcionin e pafajësisë dhe të lëmë drejtësinë të flasë”,- deklaroi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Nga partia e Temelkos, Aleanca Maqedonase për Integrim Europian, kryetar i së cilës është Temelko, u ankuan për përfaqësimin e dobët të komunitetin maqedonas në administratë dhe në Kuvendin shqiptar.
Kryeparlamentari Xhaferi potencoi se përfaqësimi i etniteteve të vogla është problem edhe në Maqedoni si pasojë e modeleve zgjedhore.
Nënkryetari i AMIE-së kërkoi ndërkohë të dëgjohet zëri i banorëve të Pustecit edhe në çështjen e emrit dhe tha se ata janë kundër një referendumi për këtë çështje. Xhaferi i qetësoi se çështja e identitetit aspak nuk është pjesë e diskutimeve për zgjidhjen e çështjes së emrit.
Xhaferi ndërkohë shprehu kënaqësinë për miratimin në Parlamentin shqiptar kohë më parë të Ligjit për minoritetet.
Parlamentet e dy vendeve tashmë duhet të shtojnë presionin edhe që vendimet e miratuara në mbledhjen e fundit të dy qeverive të mos mbeten vetëm në letër, por të funksionojnë sa më shpejt edhe në praktikë, tha Xhaferi.
“Duke u bazuar në vendimet e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive që u mbajt në Pogradec, vazhdon edhe shtypja parlamentare që këto vendime të marrin formën formale juridike si propozim ligj për ratifikimin e marrëveshjeve”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Xhaferi potencoi faktin që të dy vendet vitin që vjen presin raport progres pozitiv nga BE-ja dhe iu falënderua Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme në procesin eurointegrues të Maqedonisë.
MIGENA GORENCA
