Maqedoni
Ndryshimi i Ligjit për media, Mançevski: Bashkërisht të gjejmë zgjidhje adekuate. Selmani: Shteti, sa më pak të përzihet aq më mirë
21.12.2017 16:07
Në kuadër të debateve për reformat në media, Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë...

Në kuadër të debateve për reformat në media, Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë ka organizuar një debat në të cilin janë dhënë sugjerime, mendime, vërejtje se ka nevojë për ndryshim të Ligjit për media dhe se a duhet puna e portaleve të rregullohet me ligj.
Sipas ministrit, Damjan Mançevski, në Maqedoni alarmante është situata me portalet të cilat nuk janë të regjistruara dhe pas tyre nuk qëndron askush si dhe me prodhimin e lajmeve të rrejshme. Por, Mançevski tha se qeveria nuk do të jetë iniciatore për sjelljen e ndryshimeve ligjore, përderisa ajo nuk kërkohet nga ana e një spektri më të gjerë.
“Kjo qeveri nuk ka ndërmend që të bëhet gjenerator i disa ndryshimeve të ligjit, në qoftë se për atë nuk identifikohet nevoja nga ana e të prekurve në atë sferë. Në qoftë se bëhet fjalë për pjesën e mediave apo për ndonjë sferë tjetër, qytetarët duhet të thonë se ka nevojë, anët e interesuara duhet të tregojnë gjithashtu se ka nevojë dhe bashkërisht të gjejmë një zgjidhje adekuate”,- deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.
Implementimi i më shumë ligjeve dhe rregullave nuk është në favor të mediave, pasi gazetarët do të censurohen edhe më tepër dhe nuk do të jenë të lirë në informim dhe shprehje të mendimit të lirë, thonë nga ShGM. Sipas kryetarit të ShGM-së, Naser Selmanit, përderisa Maqedonia rangohet në vende ku nuk ka liri të mediave, implementimi i ligjeve është absurd dhe jomoral.
“Më shumë ligje nënkupton më pak liri. Mediat në Maqedoni janë tejet të rregulluara, nevojitet derregullim. Shteti duhet që t’i lejë mediat të marrin frymë lirshëm. Sa më pak të përziheni, aq më mirë është për mediat”,- tha kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
Ministri Mançevski tha se në të ardhmen do të realizohen edhe më tej debate në lidhje me këtë çështje, deri sa të gjendet se cila është zgjidhja më e mirë në lidhje me mediat.
ERSAN PAJAZITI
