Maqedoni

Vrasja e mbrëmshme në Çair. MPB arrestoi tre persona, punon në zbardhjen e rastit

21.12.2017 17:02

Policia ka arrestuar tre persona dhe njëherit ka sekuestruar veturën prej të cilës është kryer vrasja e djaloshit me iniciale B. I., 24 vjeç, në Çair...

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, thotë se policia po punon në zbardhjen e këtij rasti dhe në indentifikimin e motiveve për këtë vrasje. 
 
“MPB punon fuqimisht për zbardhjen e vrasjes së mbrëmshme në Çair. Është sekuestruar vetura tip “Zastava Jugo” me të cilën ka lëvizur vrasësi dhe janë marrë 20 gëzhoja nga terreni, janë arrestuar tre persona në lidhje me këtë vrasje dhe është biseduar me familjarët dhe miqtë e viktimës”,- deklaroi ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.
 
Në këtë drejtim, Spasovski tha se policia nuk mund të evitojë ngjarje të tilla në rrugë, por me rëndësi të madhe është policia të jetë ekspeditive e jo selektive.
 
Spasovski këto komente i bëri gjatë vizitës së tij në Akademinë Policore në Idrizovë, ku bëhej seleksionimi i kandidatëve të pranuar në polici.
 
“Seleksionimi transparent i kandidatëve është i mirë për të pasur kuadër të mirë e cilësor. Unë e di që në të kaluarën kishte një praktikë të mos respektohen standardet profesionale gjatë përzgjedhjes së kandidatëve, ndërsa tani është më ndryshe, të gjithë kandidatët do duhet t’i plotësojnë standardet e kërkuara për t’u bërë policë”,- theksoi ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.
 
Në konkursin e fundit të MPB-së u paraqitën mbi 3000 kandidatë për policë, prej të cilëve 500 prej tyre do të kalojnë në testim dhe do të lidhin kontratë punësimi si nëpunës policorë vitin e ardhshëm. 
 
REXHEP QAMILI