Maqedoni

Ligji për amnisti, Zyberi: zvogëlimi i dënimeve në masë të madhe, i rrezikshëm

21.12.2017 17:24

Përkundër diskutimeve dhe kërkesave të djeshme në Komisionin Parlamentarë se Ligji për amnisti është i nevojshëm...

Përkundër diskutimeve dhe kërkesave të djeshme në Komisionin Parlamentarë se Ligji për amnisti është i nevojshëm, por që i njëjti duhet të përfshijë një numër më të madh të të dënuarve.
 
Analisti, Naser Zyberi, vlerëson se një praktikë e tillë nuk do të ishte në favor të shoqërisë dhe i njëjti është i papranueshëm.
 
Gjatë diskutimit të djeshëm në Komisionin Parlamentar u la mundësia për intervenime eventuale në ligjin në pjesën e mundësisë së faljes së sasisë së dënimit nga 6 muaj në një vit dhe nga 30% deri në 40, apo 50%.
 
Edhe pse ligji parasheh lirimin e diku rreth 3770 personave, thuhet se në pritje për vuajtjen e dënimit janë po aq persona. Zgjidhja nga kjo problematikë duhet të kërkohet në sigurimin e kushteve për të burgosurit dhe jo me çdo kusht lirimin e tyre.
 
“Mendoj se lista e veprave që do të përfshihen me këtë ligj është e mjaftueshme dhe do të ishte ndoshta e pakuptimtë që të përfshihen edhe vepra të cilat mund të rrezikojnë rëndë rendin shoqëror të Maqedonisë. Një nga shkallët deri ku shkon amnistia, ligjvënësia vlerëson se në 30%, dhe mendoj se është e mjaftueshme, sepse po të bëhet 50% atëherë do të zbrazen burgjet, prandaj ka një masë dhe zakonisht shkohet me 20 apo 30%”,- tha analisti, Naser Zyberi.
 
Sa i përket amnistive që janë e drejtë e kryetarit të shtetit, Zyberi thotë se ai këtë të drejtë e ka shfrytëzuar edhe deri më tani, por nuk mohohet fakti ta përsërisë të njëjtën.
 
“Ivanovi të drejtën e tij e ka shfrytëzuar edhe para këtij ligji dhe nuk është për t’u habitur që të bëjë tentim për t’i falë personat që do të jenë në situatë të dënohen me vendime të plotfuqishme të gjykatave, por ai do të jetë në situatë të vështirë pasi lista e personave të përfshirë ndaj të cilëve bëhet sot procedurë gjyqësore ose hetuese është shumë e madhe dhe ai do të duhet që disa herë të përsërisë vendimin e tij për abolim apo falje. Kështu mendoj se presidenti do të vihet në një situatë shumë të sikletshme që të dalë nga kjo gjendje në të cilën janë personat e partisë nga e cila buron ai”,- deklaroi analisti, Naser Zyberi.
 
Propozim-ligji aktual për amnisti nuk parasheh falje për veprat penale kundër zgjedhjeve dhe votimeve, vepra penale “dhunë seksuale”, vepra penale kundër shtetit dhe ligjit zgjedhor, për vepra penale kundër të drejtës ndërkombëtare. 
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI