Maqedoni
Sela takon Zaevin, s’ka marrëveshje të re
21.12.2017 17:50
Aleanca për Shqiptarët mbetet në qëndrimin se partnerët e koalicionit duhet të respektojnë marrëveshjen...

Aleanca për Shqiptarët mbetet në qëndrimin se partnerët e koalicionit duhet të respektojnë marrëveshjen për formimin e qeverisë dhe se Ministria e Shëndetësisë i takon Aleancës për Shqiptarët.
Kreu i ASh-së, Zijadin Sela, pas takimit me kryeministrin, Zoran Zaev, tha se këtë qëndrim ia ka përcjellë edhe kryeministrit. Aleanca nuk pranon poste “të trilluara”, siç është oferta për zëvendëskryeministër për zbatimin e reformave, theksoi Sela.
“Ne qëndrojmë në qëndrimet tona. Nuk shohim arsye se pse duhet të ketë ndryshime në pozicionet dhe në marrëveshjen që u arrit kur u formua qeveria. Qëndrojmë në pozicionet që kemi pasur. Marrëveshja është arritur atëherë. Aleancës për Shqiptarët i takon Ministria e Shëndetësisë. Për sa kohë kemi udhëhequr, kemi udhëhequr në mënyrë të suksesshme dhe nëse dikujt i pengon suksesi, le të dalë dhe le ta thotë që i pengon suksesi dhe janë për haos. Ministri të stisura të tipit zëvendëskryeministër për reforma natyrisht që për ne janë të papranueshme”,- deklaroi kryetari i ASh-së, Zijadin Sela.
Për krizën në qeveri, Sela akuzoi BDI-në. Sipas tij, BDI po bën luftë politike kundër ASh-së, që nga fushata e zgjedhjeve lokale nga frika se do të humbasin zgjedhjet.
“Shëndetësia është problematizuar edhe ndërmjet ciklit të parë dhe të dytë zgjedhor dhe të parët që kanë dhënë deklarata se Aleanca ka dalë nga qeveria ka qenë Bujari, Artani, disa njerëz të tyre që i nxjerrin dhe problematizimi i kësaj çështje është bërë nga ata dhe presioni është nga ata realisht. Ali Ahmeti është më përpara i gatshëm që Ministrinë ta marrë LSDM se sa ta mbajë ASh. Politikisht, unë e kuptoj pse e bëjnë. U ka hyrë tmerri se do t’i humbin zgjedhjet, prandaj e kanë këtë qëndrim dhe bëjnë luftën e tyre politike”,- tha kryetari i ASh-së, Zijadin Sela.
Sela hodhi poshtë deklaratat e kryeministrit Zaev se Ministria e Shëndetësisë është dhënë për shkak të Arben Taravarit.
Sipas tij, e vërteta është që Ministria e Shëndetësisë dhe pozicione të tjera janë dhënë për shkak të numrave të cilët e bënë qeverinë në qershor.
ASh ende nuk ka marrë një qëndrim se si do të veprojë në Kuvend nëse kryeministri Zaev vendos që për ministër të Shëndetësisë të propozojë kandidatin, tani më të publikuar, nga LSDM.
Sela tha se pret që kryeministri të tregojë seriozitet dhe të propozojë kandidatin e ASh-së për ministër të Shëndetësisë, Vullnet Feratin.
SHPËTIM NUREDINI
