Maqedoni

Komiteti i VMRO-DPMNE-së vendosi: kongresi mbahet në fundjavë

21.12.2017 18:39

VMRO-DPMNE, megjithatë do të mbajë kongresin e jashtëzakonshëm të caktuar për më 22 dhe 23 dhjetor në Vallandovë...

Komiteti Ekzekutiv i partisë ka hedhur poshtë iniciativën e disa anëtarëve të saj për shtyrjen e saj. 
 
"Komiteti ekzekutiv diskutoi për iniciativën publike nga ana e disa anëtarëve aktualë dhe ish-funksionarëve. Iniciativa e publikuar në media nuk mori përkrahje nga Komiteti Ekzekutiv, i cili vendosi që të mos e propozojë në mbledhjen e sotme të këtij komiteti. Komiteti Ekzekutiv ka shqyrtuar edhe informatën për përgatitjen e mbajtjes së kongresit të jashtëzakonshëm të 16 me radhë i cili do të mbahet më 22 dhe 23 dhjetor në Vallandovë”,- njoftuan nga VMRO-DPMNE-ja.
 
Ditë më parë, shumë funksionarë partiakë, midis të cilëve edhe deputetët aktualë, Antonio Milloshovski dhe Ilija Dimovski, publikisht kanë kërkuar që të shtyhet kongresi për në shkurt, për shkak, siç thonë ata, procesi i përzgjedhjes së liderit të ri të VMRO-DPMNE-së është jolegjitim dhe se për lider të partisë është duke u përkrahur vetëm një person.
 
Në kongresin e 16 të jashtëzakonshëm për zgjedhjen e pasardhësit të Nikolla Gruevskit pritet të vendosin votat e 544 delegatëve të kësaj partie.
 
NAIM RAMADANI