Maqedoni
Pence viziton trupat amerikanë në Afganistan
22.12.2017 11:18
Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, gjatë një vizite të papritur në Afganistan...

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, gjatë një vizite të papritur në Afganistan, ka përshëndetur trupat amerikanë dhe ata afganë për “avancim të vërtetë” në luftën 16 vjeçare, duke deklaruar se në këtë vend është duke funksionuar strategjia e re e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Pence ka thënë se dy liderët afganë i kanë thënë atij se “kanë filluar të shohin një ndryshim të qasjes së talibanëve”, ndërsa Ghani ka thënë se gjatë këtij viti janë vrarë më shumë liderë talibanë në krahasim me të gjitha vitet tjera paraprake. Nënpresidenti amerikan po ashtu ka thënë se liderët afganë kanë shfaqur shpresën se në fund “armiku do të lodhet nga humbja” dhe do të ketë vullnet për të nisur bisedimet për paqe.
Trump ka prezantuar strategjinë e re gjatë verës së këtij viti, duke rritur numrin e trupave amerikanë dhe duke i dhënë më shumë autoritet ushtrisë amerikane në betejën kundër talibanëve. Pence i ka falënderuar ushtarët për sakrificën e tyre, duke thënë se “unë besoj që fitorja është më afër se kurrë më parë”.
Në Bagram, Pence i është drejtuar ashpër Pakistanit, duke theksuar komentet e mëparshme të Trumpit, i cili ka akuzuar Islamabadin për strehimin e terroristëve që veprojnë në Afganistan. Vizita e Pence në Afganistan nuk është njoftuar më parë për çështje të sigurisë.
