Maqedoni
Autostrada “Arbër Xhaferi”, Haradinaj: Shkupi tani më afër për Prishtinën; Thaçi: Po ndërtohet Kosova europiane
22.12.2017 14:30
Vitin e ardhshëm Shkupi do të jetë më afër se kurdoherë me Prishtinën...

Kështu u shpreh kryeministri, Ramush Haradinaj në përurimin e segmentit të dytë të autostradës Prishtinë – Shkup, që mban emrin “Arbën Xhaferi”. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se vitin e ardhshëm do të përmbyllen në tërësi punimet në këtë autostradë.
“Infrastrukturë euroatlantike atje ku është drejtimi ynë dhe sot jemi dëshmitarë se kjo po ndodh. Jam thellë i bindur se vitin që vjen do të përmbyllet e tërë autostrada. Jam thellë i bindur se vitin që vjen Shkupi do të jetë më afër se kurdoherë tjetër për Prishtinën”,- deklaroi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Edhe presidenti, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se me punë të këtilla po ndërtohet Kosova europiane.
“Është projekt i Kosovës moderne, i Kosovës europiane. Është projekt i ëndrrave që kemi pasur, që po shndërrohen në realitet”,- tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në përurim ishin të pranishëm edhe xhudistja kosovare dhe kampione olimpike, Majlinda Kelmendi, ambasadori, Greg Delawie, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe personalitete të tjera. Autostrada Prishtinë - Hani i Elezit është në gjatësi prej rreth 60 kilometrash dhe kap vlerën prej afër 600 milionë eurosh.
GYLTENE SINANI
