Ekonomi
Jovanoviq: Gratë paguhen 18% më pak se burrat
22.12.2017 15:49
Fuqia punëtore e gruas në Maqedoni është diskriminuese...

Për punë dhe kualifikim të njëjtë, gratë paguhet për 18% më pak se burrat, dy orë e gjysmë punë në ditë mbesin të papaguara krahasuar me burrat, ndërsa në tregun e punës marrin pjesë për 25% më pak se burrat. Këto ishin disa nga vlerësimet e panelistëve në tryezën e rrumbullakët “Strategjia për buxhetim të përgjegjshëm gjinor”.
“Gratë në Maqedoni paguhen për 18% më pak se burrat për të njëjtën punë, për të njëjtin kualifikim. D.m.th. në njëfarë mënyre gjenden në situatë inferiore. Një nga mënyrat që të përmirësohen këto punë është përmes buxhetimit të përgjegjshëm gjinor”,- deklaroi përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, Branimir Jovanoviq.
Nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ theksojnë se do të angazhohen maksimalisht për buxhet transparent gjinor.
“Unë shpresoj se kjo strategji do të bëhet realitet dhe se implementimin do ta bëjmë me përkrahje buxhetore dhe gjithashtu buxhetet do të jenë me përgjegjësi gjinore, buxhete që do të japin pasqyrë se si harxhohen mjetet dhe si ato ndikojnë në njërën apo grupin e dytë të qytetarëve”,- tha ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Mila Carovska.
“Parashtrohet pyetja për të gjithë ne, përse nevojitet buxhet gjinor?! Lirisht mund të thuhet përgjigjja konkrete. Për t’u ndërruar qasja tradicionale, që nënkupton principe mashkullore për ide buxhetore”,- theksoi koordinatorja e klubit të deputetëve në Kuvend, Gjylymsere Kasapi.
Nga Zyra e Kombeve të Bashkuara në Shkup thanë se për të arritur rezultat të barazisë gjinore nevojiten indikatorë specialë që do të masin alokimin e mjeteve dhe të shohin ecurinë e përparimit të barazisë gjinore.
NERMIN MALAKU-FEJZULLAHU
