Maqedoni

Projekte për personat me hendikep, 300 të punësuar gjatë këtij viti

22.12.2017 16:07

Treqind persona me aftësi të kufizuar gjatë këtij viti janë punësuar nëpërmjet projekteve dhe masave...

Treqind persona me aftësi të kufizuar gjatë këtij viti janë punësuar nëpërmjet projekteve dhe masave aktive në planin operativ në përputhje me Ligjin për punësim të kësaj kategorie nga të cilët 230 prej tyre shfrytëzojnë mjete nga Fondi i veçantë, ndërsa 70 persona përmes projekteve të masave aktive për punësim.
 
Personat me aftësi të kufizuara më tepër janë të punësuar në industrinë e tekstilit dhe shtypit.
 
Nga Agjencia për Punësim njoftuan se edhe gjatë vitit 2018 do të ndahen mjete për punësimin dhe inkuadrimin e tyre në shoqëri.
 
“Gjatë vitit 2017 janë punësuar më shumë se 300 persona nëpërmjet masave dhe projekteve, përmes masave aktive në planin operativ në përputhje me Ligjin për punësim të personave me hendikep. Për punësim të vitit 2018 janë paraparë pilot masa, program për vetëpunësim të personave me hendikep, aty ku ndahen mjetet e pakthyeshme si grande në sigurimin e pajisjeve, retro materiale, si dhe mbështetje me subvencione për këtë kategori të ndjeshme. Për momentin kemi subvencionuar 223 punësime të personave me hendikep”,- deklaroi kryetarja e Agjencisë për Punësim, Biljana Jovanovska.
 
Përmes projektit “Qendra për punësimin e personave me hendikep”, Oda Ekonomike e Maqedonisë në bashkëpunim me “PolioPlus” kanë hapur Qendrën për punësimin dhe trajnimin e këtyre personave në sfera të ndryshme.
 
“Në kuadër të këtij projekti “Për punësimin e personave me hendikep”, hapëm gjashtë punëtori për personat me hendikep, gjithashtu edhe tetë lloje trajnimesh për kompanitë me qëllim që të jenë më të informuar për mundësitë e punësimit të këtyre personave dhe inkuadrimin e tyre në procesin e punës. U është mundësuar shtatë praktikantëve të jenë të kyçur drejtpërdrejt në vetë kompanitë”,- theksoi drejtori operativ i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Elena Milevska – Shtrpevska.
 
“Personat me hendikep praktikojnë pozita dhe profesione pak më ndryshe. Kemi tre persona të cilët trajnohen në sektorin bankar, dy janë në sferën e turizmit, tre trajnohen në Odën Ekonomike dhe një pjesë e madhe e tyre trajnohen në disa sfera që mund të themi se nuk janë në natyrën e tyre, gjithë kjo bëhet me qëllim që të tregojmë se edhe këta persona posedojnë aftësi të ndryshme dhe duam që të bëjmë lidhje mes shtetit, komunitetit të biznesit dhe personave me hendikep, si komuniteti më i margjinalizuar dhe diskriminuar në Maqedoni”,- tha Elena Kocovksa nga Lëvizja kundër Hendikepit “Polio Plus”.
 
Vitin e kaluar janë organizuar aktivitete të ndryshme për inkuadrimin dhe punësimin e këtyre personave nëpër kompani të ndryshme, gjithashtu këto tri institucione paralajmëruan se këta persona vitin që vjen do të trajnohen edhe nëpër profesione të tjera, për të zhvilluar aftësitë që ata posedojnë.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU