Maqedoni

Kuvend, filloi diskutimi për buxhetin 2018

22.12.2017 17:40

Kuvendi filloi diskutimin plenar rreth propozim buxhetit të plotësuar për vitin 2018...

Arka e shtetit për vitin e ardhshëm parashihet të ketë rreth 3.145 milionë euro, ndërkaq shpenzimet planifikohet të arrijnë në 3.4 miliardë euro.
 
Sipas ministrit të financave, Dragan Tevdovski, propozim buxheti e paraqet përcaktimin e qeverisë për shpenzim transparent, efikas dhe me interes shoqëror të parave të popullit.
 
“Propozim buxheti i Republikës së Maqedonisë për vitin 2018 reflekton angazhimin e qeverisë së re për të arritur qëllimet kryesore dhe prioritet në shoqëri, shkallë më të lartë të rritjes së ekonomisë, rritjen e punësimit, rritjen e standardit jetësor të qytetarëve, arritjen e një niveli më të lartë të drejtësisë sociale dhe intensifikim të proceseve euroatlantike për në BE dhe NATO”,- deklaroi ministri i financave, Dragan Tevdovski.
 
Me projekt buxhetin e vitit 2018 parashihen më shumë para për Avokatin e Populli. Ixhet Mehmeti tha se për herë të parë buxheti për AP-në është dakorduar bashkë me Qeverinë.
 
“Buxheti për vitin 2018, pjesa për Avokatin e Popullit, është rritur për 4.2%, krahasuar me buxhetin rrjedhës për institucionin AP. Njëkohësisht dua t’iu njoftoj se për herë të parë ndodh që kërkesat buxhetore të AP-së të harmonizohen me propozuesin e buxhetit, pra me qeverinë”,- theksoi avokati i popullit, Ixhet Memeti.
 
Ndërkaq, koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Tomisllav Tuntev, shprehu keqardhje që opozita nuk merr pjesë në seancë plenare që shqyrtohet propozim/buxheti i plotësuar për vitin 2018, ku janë përfshirë edhe amendamente të opozitës. 
 
“Në historinë e RM-së, si shtet i pavarur, kjo është hera e tretë që buxheti, si dokumenti më i rëndësishëm financiar apo instrumenti më i rëndësishëm i financimit publik, të miratohet pa opozitën. Më vjen keq që duhet të debatojmë, nëse mund të thuhet kështu”,- u shpreh koordinatori i LSDM-së, Tomisllav Tuntev.
 
Deficiti buxhetor i projektuar për vitin 2018 është 18.2 miliardë denarë, përkatësisht 2.7% të BPV-së, që sipas propozuesit është në harmoni me përcaktimin për konsolidim fiskal gradual. 
 
SHPËTIM NUREDINI