Maqedoni
VMRO-DPMNE po mban kongres të përçarë, Mickovski kandidat i vetëm për kryetar
22.12.2017 18:37
Hristijan Mickoski do të jetë kandidati i vetëm për postin e kryetarit të VMRO-DPMNE-së...

Kështu ka konstatuar Komiteti Qendror duke pranuar vetëm kandidaturën e tij, ndërsa ka hedhur poshtë njëkohësisht një kandidaturë e cila nuk i ka plotësuar kushtet juridike.
Por, në këtë kongres VMRO-DPMNE duket se do të shkojë e përçarë, pasi derisa Mickoski ka deklaruar se si kryetar i ardhshëm do të ketë parasysh kapacitetin e deputetëve dhe kolegëve të cilët kërkuan shtyrjen e kongresit, deputeti i kësaj partie, Antonio Milloshovski, deklaroi se nuk do të marrë pjesë në kongres, ndërsa kolegu i tij, Ilija Dimovski, kërkoi që partia të fillojë të respektojë mendimin ndryshe.
“Kemi luftuar bashkë për shumë beteja partiake, kështu që kapaciteti i tyre do të shfrytëzohet maksimalisht edhe në të ardhme, me qëllim që të mposhtim kundërshtarin, në këtë rast politikën destruktive dhe të dëmshme, tashmë shtatë mujore të cilën po e udhëheq Qeveria e LSDM-së”,- tha Hristijan Mickoski.
“Fakti që ka vetëm një kandidat është shqetësues dhe nuk është pozitiv për imazhin e partisë. Shpresoj se partia do ta kuptojë nevojën e një koncepti të ri”,- theksoi Ilija Dimovski.
Kongresi mbahet në Vallandovë, ndërsa që ai të jetë i vlefshëm nevojitet prezenca e 2/3 të delegatëve, nga 544 gjithsej, derisa kandidati për kryetar duhet të marrë shumicën e delegatëve prezentë.
Pasuesi i Nikolla Gruevskit në postin e liderit të partisë më të madhe opozitare maqedonase pritet të zgjidhet të shtunën.
BESIM ABDULLAI
