Jonson: Britania nuk mund t'i injorojë veprimet e Rusisë
Londra nuk mund të injorojë ndërhyrjen ruse në zgjedhje gjithandej nëpër botë...

Londra nuk mund të injorojë ndërhyrjen ruse në zgjedhje gjithandej nëpër botë, aksionet e saj në Ukrainë apo persekutimin e personave gej në Çeçeni, deklaroi ministri i jashtëm britanik, Boris Johnson.
Johnson i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Moskë pas bisedimeve me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Kjo është vizita e parë e një ministri të jashtëm britanik në Rusi në pesë vitet e fundit, pas ngritjes së tensioneve në mes të dy shteteve.
Kjo ka ndodhur edhe për shkak të dallimeve në qëndrime për Ukrainën dhe Sirinë si dhe supozimet se Rusia ka ndërhyrë në politikë të brendshme në Europë dhe Shtetet e Bashkuara.
“Këto janë kohëra të vështira për marrëdhëniet në mes të Britanisë së Madhe dhe Rusisë, ashtu siç tha ministri Lavrov, nuk mund t'i injorojmë vështirësitë, nuk mund të pretendojmë se nuk ekzistojnë sepse nuk kemi perceptime të njëjta për çështjet në Ukrainë, Ballkanin Perëndimor, apo siç ka thënë edhe kryeministrja britanike, Theresa May, për aktivitetet ruse në kibernetikë. Dhe po, ne ngrisim zërin për komunitetin LGBT në Çeçeni dhe çdo vend, njerëzit e presin këtë nga ne”,- ka thënë Johnson.
Rusia i ka hedhur poshtë këto akuza.
“Marrëdhëniet tona nuk është sekret tashmë se janë në pikë shumë të ulët”,- ka thënë Lavrov.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, një kritikë e madhe e Johnsonit, e ka fajësuar Britaninë për relacionet e tensionuara.
Zakharova e ka cilësuar më parë Johnsonin si joprofesional.
