Botë

Abbas: nuk pranojmë plan për paqe nga ShBA-të

22.12.2017 20:50

Udhëheqësi i autoritetit palestinez, Mahmud Abbas, ka deklaruar se palestinezët “nuk do të pranojnë” ndonjë plan...

Udhëheqësi i autoritetit palestinez, Mahmud Abbas, ka deklaruar se palestinezët “nuk do të pranojnë” ndonjë plan për paqe në Lindjen e Mesme të propozuar nga Shtetet e Bashkuara.

Duke folur në Paris, një ditë pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që kundërshton vendimin e ShBA-së për njohjen e Jerusalemit, kryeqytet të Izraelit.

“Shtetet e Bashkuara kanë vërtetuar se janë ndërmjetësues jokredibilë në procesin e paqes dhe nuk do të pranojnë asnjë plan nga ky vend”,- ka thënë Abbas, pasi është takuar me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Ky i fundit ka thënë se Franca mbetet e mendimit se zgjidhja është ashtu që dy vendet të ekzistojnë pranë njëra - tjetrës si shtete. Macron ka thënë se Franca do ta njohë shtetin e palestinezëve “në kohën e duhur” dhe jo nën presion.

“Amerikanët e kanë margjinalizuar veten dhe unë po tentoj të mos veproj në të njëjtën mënyrë”,- ka thënë Macron.