ASH pa qëndrim të prerë, Sela vazhdon të këmbëngul për shëndetësinë
Alenca për Shqiptarët edhe më tej nuk ka qëndrim të prerë....

Alenca për Shqiptarët edhe më tej nuk ka qëndrim të prerë nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e koalicionit qeverisës apo do ta braktisë atë.
Pas mbledhjes disa orëshe të Kuvendit Qëndrorë të partisë kreu i ASH-së Ziadin Sela tha se çështja e daljes së ASH-së nga përbërja qeveritare nuk ka qenë në rend dite. Ajo çfarë dihet në opinion është se nuk bëhet fjalë për rikonstruim të Qeverisë, por plotësim të vendeve të zbrazëta të krijuara nga zgjedhjet lokale.
Ministria e Shëndetësisë ka qenë dhe do t’i mbetet ASH-së deklaroi ai. Megjithëse, propozimi i ministrit të Shëndetësisë tashmë është në procedurë kuvendore, lideri i ASH-së, Ziadin Sela, tha: “Ne si Kuvend qendror kemi votuar, kur jemi bërë pjesë e Qeverisë. Ne kemi për të realizuar programin tonë që u kemi premtuar qytetarëve. Do ta shohim kur të votohet në Kuvend. Në rast se do të vendoset se Venko Filipçe të jetë ministër, do të njoftoheni për hapat e mëtutjeshme që do të merren nga ASH-ja”.
Sela njoftoi se kongresi i partisë do të mbahet më 20 mars të vitit 2018-s për zgjedhjen e kryetarit dhe kryesinë qendrore të kësaj partie. (Naim Ramadani, TVM2)
