Botë

Vietnami përgatitë evakuimin e një milion njerëzve për shkak të tajfunit Tembin

25.12.2017 12:40

Autoritetet në Vietnam po përgatiten të evakuojnë një milion njerëz për shkak të tajfunit Tembin...

Autoritetet në Vietnam po përgatiten të evakuojnë një milion njerëz për shkak të tajfunit Tembin, i cili pritet që gjatë natës të arrijë deri në rajonin në afërsi të lumit Mekong në pjesën jugore të vendit.
 
Tembin kaloi afër Filipineve, ku jetën e humbën mbi 230 persona, ndërsa u shkaktua dëm i dukshëm material. Stuhia po i afrohet Vietnamit me erëra prej pothuajse 100 kilometrave në orë.
 
Komiteti vietnamez për katastrofa kumtoi se 74.000 persona nga rajonet kritike po evakuohen në vend të sigurt, përderisa autoritetet lokale po përgatiten të evakuojnë mbi një milion banorë nga provincat.
 
Qeveria urdhëroi që platformat e naftës të mbrohen dhe paralajmëroi rreth 62.000 anije peshkimi të mos dalin në det.
 
"Vietnami duhet t'i sigurojë platformat e naftës dhe anijet. Nëse është e domosdoshme, të mbyllen platformat dhe të evakuohen punëtorët", tha kryeministri Nguen Ksuan Puk.
 
Janë mbyllur edhe disa shkolla në qendrën jugore të Ho Shi Minit.
 
Bëhet fjalë për stuhinë e 16-të tropike e cila këtë vit e kaploi Vietnamin. Prej fillimit të vitit 390 persona e humbën jetën apo u zhdukën në tajfune në Vietnam, ndërsa mbi 650 u lënduan.
 
Dëmet nga stuhitë vlerësohen në rreth 2,3 miliardë dollarë./mia