Botë
Papa Françesku për emigrantët: miliona njerëz kërkojnë të mbijetojnë, hapni dyert. Krishtlindja në Lindjen e Mesme, festime të zbehta në Nazaret pas vendimit të Trumpit
25.12.2017 13:39
Mesazhi kryesor i Papa Françeskut për këtë festë Krishtlindjeje ishte për emigrantët...

Kreu i Vatikanit u bëri thirrje të krishterëve që të mos injorojnë vështirësitë e njerëzve që janë larguar nga tokat e tyre. Papa i krahasoi emigrantët me Marian dhe Jozefin, duke treguar historinë se si ata udhëtuan nga Nazareti drejt Betlehemit, por nuk gjetën vend për të qëndruar.
“Shumë emigrantë detyrohen që të largohen nga vendet e tyre për shkak të liderëve që derdhin gjak të pafajshmish pa u menduar dy herë”,- tha Papa Françesku, që festoi Krishtlindjen e tij të pestë si udhëheqës i 1.2 miliardë katolikëve në botë.
10 mijë njerëz dëgjuan mesazhin në Bazilikën e Shën Pjetrit.
“Shohim familje të tëra që sot janë të detyruar të nisin një udhëtim, shohim miliona njerëz që nuk zgjedhin, por janë të detyruar të ndahen nga më të dashurit që përzihen nga tokat e tyre, në shumë raste në një udhëtim të mbushur me shpresë, e në shumë të tjera është një udhëtim për mbijetesë. Krishtlindja është koha për të transformuar frikën nëpërmjet virtytit të dashurisë, të forcuar nga një frymë e re bamirësie, bamirësi që nuk është mësuar me padrejtësi. Në mes të tensioneve dhe konflikteve, të bëhemi një vend mikpritës”,- deklaroi Papa Françesku.
Festime ka pasur edhe në Betlehem, ku nuk kanë munguar mesazhet për kurajo në mesin e tensioneve që po përjeton vendi pas vendimit të presidentit amerikan për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.
Në qytetin e lindjes së Jezu Krishtit, në Nazaret, nuk kishte festime zyrtare përveç meshës së mesnatës.
Kryetari mysliman i Bashkisë së Nazaretit ka anuluar festimet, që janë një traditë në qytetin historik izraelit, duke thënë se Trump vrau Krishtlindjet duke pranuar pretendimin e Izraelit për Jerusalemin si kryeqytetin e tyre.
Festimet e Krishtlindjes në shumë vende europiane po kalojnë nën masat e shtuara të policisë, sidomos në Francë.
BELINDA KOKA-ADEMI
