Botë

Blindohen qytetet italiane, frikë nga sulmet terroriste për festat

25.12.2017 14:05

Në prag të festave të fundvitit, Italia ka shtuar kontrollet e masat e sigurisë në territor për të garantuar mbrojtjen...

Në prag të festave të fundvitit, Italia ka shtuar kontrollet e masat e sigurisë në territor për të garantuar mbrojtjen nga rreziku i sulmeve terroriste.

Prej ditës së sotme deri në ditën e ndërrimit të viteve, Policia italiane ka nisur zbatimin e një plani special sigurie të zbatueshëm në qytetet më të mëdha e kryesore italiane.

Në Milano, Torino, Romë, Firenze, Palermo, Napoli, Bari etj është rritur numri i forcave të rendit dhe patrullave ushtarake që kontrollojnë territorin gjatë ditës dhe natës.

Sheshet ku priten të zhvillohen evente festive të Krishtlindjes e të Vitit të Ri janë shpallur zona off limits, me një numër të kufizuar pjesëmarrësish.

Në Romë, sheshi historik Navona, ku tradicionalisht ngrihet merkata e Krishtlindjeve është blinduar nga kontrollet e forcave të rendit.

Në sheshin Shën Pietro në Vatikan, ku parashikohet të ketë një fluks të madh turistësh, janë vendosur hyrjet-daljet e kontrolluara me metal detektor, ndërsa në Milano sheshi Duomo është shpallur zonë me rrezikshmëri të lartë e i rrethuar nga barrikada mbrojtëse.