Maqedoni

Katolikët shqiptarë festojnë Krishtlindjen, Sereçi: duam t’i dëgjojmë lutjet në shqip; Kontributi i katolikëve shqiptarë në RM, Asani: komuniteti katolik, pjesë e historisë sonë

25.12.2017 14:56

As kjo ditë feste nuk ndryshoi asgjë në kërkesën e vetme të komunitetit të vogël të shqiptarëve katolikë në Maqedoni...

Në kishën e  Pjetër Bogdanit dhe Nënë Terezës të mesnatës së Krishtlindjes, mesha nuk u mbajt në shqip.
 
Edhe pse janë shqiptarë, besimtarët katolikë ishin të detyruar që edhe sivjet meshën ta dëgjojnë në gjuhën maqedonase. Askush nuk ka vullnet për ta zgjidhur këtë çështje që zvarritet me vite. 
 
“Është e pakuptueshme se si mundet në një botë të civilizuar dhe në një shtet të mohohet mbajtja e një meshe të shenjtë në gjuhën tonë amtare të atyre besimtarëve të cilët janë të vetmit katolikë këtu në Maqedoni. Dua të them se është koha e fundit që dikush të merret dhe të zgjidh këtë çështje e cila na brengos vite me radhë në këtë datë dhe më në fund të na mundësojnë që t’i kthehemi Zotit dhe ta përcjellim meshën në gjuhën tonë amtare”,- deklaroi Anton Sereçi nga komuniteti katolik në Shkup.
 
Por, edhe pse gjuha shqipe nuk praktikohet në kishën e tyre, veprimtaria e padiskutueshme e komunitetit katolik në këto troje nuk do të kalojë pa u shënuar në histori. 
 
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë paralajmëron se vitin e ardhshëm do të publikohen të arriturat e veprimtarëve të shquar të besimit katolik, sidomos në avancimin e arsimit shqip, emancipimin e femrës shqiptare dhe atdhedashurinë e padiskutueshme të këtij komuniteti ndaj trojeve të tyre. 
 
“Ne si institucion shkencor i shqiptarëve të Maqedonisë dëshirojmë që të vejmë në pah se ne veç më kemi filluar me një projekt konkret që do ta realizojmë vitin e ardhshëm, ku do t’i studiojmë dhe do ta nxjerrim në pah kontributin e shqiptarëve katolikë ndër shekuj në këto treva dhe do të shkruajmë historinë tonë kombëtare”,- tha drejtori i ITKSh-së, Skender Asani.
 
Nga ITShKSh shpresojnë se ndryshimet e fundit politike do të reflektohen edhe në sferën fetare, gjë e cila do të mundësonte më në fund edhe përmbushjen e kërkesës modeste të komunitetit katolik në Maqedoni, mbajtjen  e meshës në gjuhën shqipe, të paktën në mesnatën e Krishtlindjeve. 
 
REXHEP QAMILI