Maqedoni
Zaev: shpresoj që ASh të pranojë postin e ofruar; Zaev: prania e opozitës, e domosdoshme për demokracinë
25.12.2017 15:41
Kryeministri Zoran Zaev pret proces konstruktiv në Parlament nga të gjitha partitë politike parlamentare...

Lidhur me qëndrimin e dhënë një ditë më parë nga ana e Zijadin Selës, që Aleanca për Shqiptarët do të mbetet pjesë e Qeverisë për t`i realizuar reformat e premtuara, por që këtij subjekti i takon ministria e Shëndetësisë, kreu i ekzekutivit Zoran Zaev tha që edhe pse për këtë çështje është biseduar mbi një muaj, shpreson që Aleanca përfundimisht e pranon postin e zëvendëskryeministrit për reforma.
Zaev, madje, deklaroi se për kandidimin e Taravarit për kryetar komune ai është informuar nga mediat dhe jo nga Taravari e as nga kreu i Aleancës, Zijadin Sela.
"Shpresoj se nëse vendimi i tyre është të mbeten në Qeveri, kjo do të thotë pranim i nënkryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për reforma. Bëhet fjalë për parti politike e cila ka dy vende deputetësh. Ministria e Shëndetësisë është një ndër resorët më të rëndësishëm në qeveri dhe në momentin kur ishte ofruar gjatë konceptimit ishte dhënë edhe për shkak të kandidatit. Ne e ofruam vendin e nënkryetarit për reforma, duke e pasur parasysh se me të vërtetë është parti e re që do të dëshirojë të dëshmohet. Besuam se kjo do të ishte e pranueshme për ta",- deklaroi kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
Ndërsa për kthimin e opozitës në Kuvend, kreu i ekzekutivit shprehu optimizëm që VMRO-DPMNE do ta korrigjojë vendimin paraprak. Bëhet fjalë për procese dhe çështje me prioritet për vendin, për të cilat nevojitet vendimmarrje e përbashkët dhe prani edhe e opozitës në Kuvend, ka shtuar kryeministri Zaev.
"Jam i bindur se opozita duhet të jetë pjesë e asaj që do të thotë proces reformues, por edhe gjithë asaj që do të thotë perspektiva të mira të Republikës së Maqedonisë. Aty ku do të arrijmë të harmonizohemi, e pres edhe zërin e tyre, aty ku nuk do të dakordohen me pushtetin të jenë kritikë dhe kundër, dhe unë pres që të kemi procese normale demokratike në Republikën e Maqedonisë",- tha kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
Sipas kreut te ekzekutivit, stabiliteti i partive, siç është VMRO dhe LSDM, paraqet dhe stabilitet për vetë Republikën e Maqedonisë. I pyetur nëse ka paralajmërim për takim me liderin e ri të VMRO-DPMNE-së, Zaev tha se nuk ka paragjykime dhe se nuk përjashtohet takimi nëse është i nevojshëm, por që tani për tani për një çështje të tillë nuk është biseduar, por mbetet i hapur për bashkëpunim.
MERITA GASHI
