Kuvend, Lubomir Jovevski zgjidhet prokuror publik
Me 61 vota pro, Kuvendi sot e emëroi Lubomir Joveveskin....

Me 61 vota pro, Kuvendi sot e emëroi Lubomir Joveveskin për prokuror publik republikan. Votimi u realizua pa praninë e deputetëve të opozitës.
“Gjithsej votuan 62 deputetë, prej të cilëve 61 për të, përmbajtur një dhe kundër asnjë. Konstatoj se Lubomir Jovevski u emërua prokuror publik i RM-së”,- deklaroi kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
Debati për këtë pikë të rendit të ditës përfundoi më 15 dhjetor, ndërkohë shumica parlamentare pas dy tentimeve të pasuksesshme për sigurimin e kuorumit votoi dhe e emërtoi Jovevskin për kryeprokuror në tentativën e tretë. Kryeprokurori Jovevski menjëherë pas zgjedhjes dha betimin para kryeparlamentarit Xhaferi.
Në deklaratën solemne u obligua se do të respektojë kushtetutën dhe ligjet dhe se do të punojë për kthimin e besimit të qytetarëve tek Prokuroria Publike duke distancuar prokurorinë nga pushteti dhe duke ndjekur krimin.
“Jemi para një sfide të madhe që të kthejmë besimin e humbur në punën e Prokurorisë para qytetarëve dhe ajo të profilizohet si institucion profesional që do ndjek kryerësit e veprave penale. Andaj do punoj që Prokuroria të mbrojë ligjshmërinë dhe të sigurojë sundimin e së drejtës në RM. E siguroj opinionin se Prokuroria do të distancohet nga ekzekutivi dhe qendrat tjera të vendosjes dhe se do të jetë organ i pavarur për ndjekjen e krimit”,- tha kandidati për prokuror publik republikan, Lubomir Joveveskin.
Jovevski u zotua se do të përmirësojë edhe bashkëpunimin me Prokurorinë Speciale, por nuk bëri të ditur se cili rast i dyshimtë do jetë primar për organin ndjekës. 63 vjeçari, Jovevski deri më tani ka punuar si gjykatës i lëndëve penale, udhëheqës i Gjykatës Themelore Shkupi 2, më 2003-n është zgjedhur zëvendësprokuror publik dhe nga 2015-ta është anëtar i Këshillit të prokurorëve publikë.
Mandati i kryeprokurorit zgjat gjashtë vite me të drejtë të emërimit të sërishëm. Deri më tani funksionin prokuror publik e ka kryer Liljana Spasevska, përderisa ishte i shkarkuar Marko Zvërlevski më 17 gusht të këtij viti. (Flutura Latifi, TVM2)
