MPB: Festoni pa armë dhe fishekzjarre

25.12.2017 17:52

Në vigjilje të festave të fundvitit, Ministria e Punëve të Brendshme....

Në vigjilje të festave të fundvitit, Ministria  e Punëve të Brendshme ka apeluar deri te qytetarët që të mos përdorin mjete piroteknike dhe armë zjarri jo vetëm për shkak të sanksioneve të parashikuara ligjore, por edhe për shkak të rreziqeve që janë për sigurinë, shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

MPB e informoi opinionin se shitja dhe përdorimi i mjeteve piroteknike, si dhe përdorimi i armëve të zjarrit nuk do të tolerohet dhe do të dënohen ashpër. Nga Ministria potencojnë se në vijim janë masa preventive dhe aktivitete parandaluese për informim të qytetarëve për pasojat që mund të dalin nga mënyra e tillë e kremtimit të festave.

Konform Ligjit për prishjen e rendit dhe qetësisë publike për personat që përdorin armë zjarri pa autorizim, apo përdorin mjete piroteknike apo mjete të ngjashme me të cilat prishin qetësinë e qytetarëve do të dënohen prej 200 deri në 500 euro.

Po ashtu, sipas Kodit Penal, ai që pa autorizim përpunon, mban, shet, furnizon ose kryen shkëmbim me armë zjarri, municion ose materie shpërthyese, do të dënohet me burgim prej tre deri në dhjetë vjet, përkujtojnë nga MPB.