Plotësohen vendet vakante në qeveri, ASh braktis qeverinë

25.12.2017 18:46

Aleanca për Shqiptarët përfundimisht braktis koalicionin qeverisës...

Aleanca për Shqiptarët përfundimisht braktis koalicionin qeverisës. Pas vendimit të kryeministrit, Zoran Zaev, që t’i propozojë Kuvendit kandidatin e LSDM-së për ministër të shëndetësisë dhe jo atë të Aleancës, kreu i ASh-së, Ziadin Sela, deklaroi se do braktis koalicionin qeverisës në momentin që do të miratohet Ligji për përdorimin e gjuhëve.

“Do të votojmë këtë ligj dhe prej këtij momenti ASh nuk do të jetë pjesë e një qeverie e cila mban emrin qeveri reformash dhe reformatore, por fatkeqësisht është shndërruar në lavatriçe të politikanëve të korruptuar dhe të inkriminuar, e cila po lan nga mëkatet këto politika që i përkasin proveniencës shqiptare në Maqedoni”,- deklaroi kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.

Pas miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Sela do të kërkojë nga kryeministri, Zoran Zaev, që t’i shkarkojë nga postet të gjithë kuadrot nga Aleanca për Shqiptarët.

Me 62 vota pro, një abstenim dhe asnjë kundër, Kuvendi e zgjodhi mjekun, Venko Filiçe, ministër të shëndetësisë.

Kryeministri, Zoran Zaev, gjatë arsyetimit të propozimit para deputetëve tha se për shkak të zgjedhjeve lokale ish-ministri i shëndetësisë zgjodhi të kandidojë për kryetar të Gostivarit dhe iu ndërpre mandati i ministrit, kështu që tani propozon kandidatin, Venko Filipçe.

“Për shkak të zgjedhjeve lokale dhe të drejtës së ministrit në Qeverinë e RM-së që të jetë kandidat për kryetar komune në Gostivar iu ndërpre mandati ministrit të atëhershëm të shëndetësisë, z. Arben Taravarit. Prandaj sot shfrytëzoj të drejtën time që Kuvendit t’i propozoj anëtar të ri i cili do të drejtojë me Ministrinë për Shëndetësi dr. Venko Filipçe”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Mirëpo arsyetimi i kryeministrit në seancë dhe ftesa paraprake që Aleanca të pranojë postin e zëvendëskryeministrit për zbatim e reformave, u kundërshtuan nga kreu i ASh-së.

Sipas Selës, Zaev nuk e respektoi Marrëveshjen për formimin e qeverisë, pasi me përcaktimin që të bëjë ndërrim resorësh me Aleancën dhe jo plotësim të vendeve të zbrazëta me kandidatë të partive respektive, ai shkeli këtë marrëveshje. Edhe më tej, Aleanca do të mbështesë reformat me interes për qytetarët dhe reformat që kanë të bëjnë me procesin eurointegrues. Për këtë arsye ASh nuk do të kërkojë as zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Në seancën e sotme, Kuvendi miratoi edhe propozimet e tjera të kryeministrit për të plotësuar vendet vakante në qeveri, njëkohësisht konstatoi edhe dorëheqjet e kryetarit, zëvendësit dhe anëtarëve të KShZ-së. (Shpëtim Nuredini, TVM2)