Ukraina marrëveshje me separatistët, më 27 dhjetor do të shkëmbehen të burgosurit

25.12.2017 19:34

Autoritetet ukrainase dhe separatistët pro-rusë janë pajtuar për shkëmbim....

Autoritetet ukrainase dhe separatistët pro-rusë janë pajtuar për shkëmbim të të burgosurve më 27 dhjetor në lindje të Ukrainës.

Njoftimi është bërë publik sot nga liderët separatistë dhe përfaqësuesit e qeverisë ukrainase, pas një takimi në Moskë. Takimi ishte ndërmjetësuar nga udhëheqësi i Kishës Ortodokse Ruse, patriarku Kirill.

Zëvendësja e parë e parlamentit në Ukrainë, Iryna Herashchenko, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se “do të lirohen 74 ukrainas më 27 dhjetor”.

“Ne do t’i shkëmbejmë ata për 306 persona tjerë”,- ka shtuar ajo.

Përfaqësuesi i qeverisë ukrainase, Viktor Medvedchuk, ka thënë se Kievi është i gatshëm të lirojë 306 persona derisa shpreson që separatistët të lirojnë 74 të tjerë. Lideri separatist, Aleksandr Zakharchenko, ka thënë se të dyja palët janë pajtuar sipas planit “306 për 74”.

Ende nuk është bërë e ditur nëse ky numër përfshin të gjithë të burgosurit e luftës. Në luftimet mes forcave ukrainase dhe separatistëve pro-rusë që mbajnë disa pjesë të rajoneve Donetsk dhe Luhansk, janë vrarë më shumë se 10,300 persona nga prilli i vitit 2014.