Kina kërkon dialog për tensionet me Korenë Veriore
Kina u ka bërë thirrje të gjitha shteteve për përpjekje konstruktiv...

Kina u ka bërë thirrje të gjitha shteteve për përpjekje konstruktive në mënyrë që të ulen tensionet, pasi Koreja Veriore i ka cilësuar sanksionet e fundit si akt të luftës dhe të barazvlefshme me bllokadë totale të ekonomisë.
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka votuar unanimisht për sanksione të reja kundër Koresë Veriore për shkak të testimit të fundit të raketës balistike ndërkontinentale, me synim të kufizimit të qasjes në sektorin e naftës së rafinuar dhe atë të parafinuar si dhe fitimet nga punëtorët që punojnë jashtë shtetit.
Por, Koreja Veriore e ka kundërshtuar rezolutën duke e cilësuar si akt të luftës. Duke folur në Pekin, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Hua Chunying, ka thënë se rezoluta ka fuqizuar sanksionet, mirëpo nuk është dizajnuar për të prekur përditshmërinë e njerëzve duke përfshirë shkëmbimet ekonomike dhe bashkëpunimin apo ndihmën humanitare.
Hua po ashtu ka kërkuar përpjekje për zgjidhje paqësore dhe për këtë gjë të bëjnë përpjekje të gjitha palët. Aleatët e vjetër të Koresë Veriore, Kina dhe Rusia, kanë mbështetur sanksionet e reja.
Edhe ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Veriore të fillojnë bisedimet. Lavrov është cituar të ketë thënë se Rusia është e gatshme të ndihmojë në këto negociata.
