Venko Filipçe i LSDM-së, ministër i shëndetësisë. Sela vendosi të braktisë qeverinë

26.12.2017 12:44

Aleanca për shqiptarët përfundimisht braktis koalicionin qeverisës...

Aleanca për shqiptarët përfundimisht braktis koalicionin qeverisës. Pas vendimit të kryeministrit, Zoran Zaev, që t’i propozojë Kuvendit kandidatin e LSDM-së për ministër të shëndetësisë dhe jo atë të Aleancës, kreu i ASh-së, Ziadin Sela, deklaroi se do ta braktis koalicionin qeverisës në momentin që do të miratohet Ligji për përdorimin e gjuhëve.

Me 62 vota pro, një abstenim dhe asnjë kundër, Kuvendi e zgjodhi mjekun Venko Filiçe ministër të shëndetësisë. Kryeministri, Zoran Zaev, gjatë arsyetimit të propozimit para deputetëve tha se për shkak të zgjedhjeve lokale ish-ministri i shëndetësisë zgjodhi të kandidojë për kryetar të Gostivarit dhe iu ndërpre mandati i ministrit, kështu që tani propozon kandidatin, Venko Filipçe.

Sipas Selës, Zaev nuk e respektoi Marrëveshjen për formimin e qeverisë pasi me përcaktimin që të bëjë ndërrim resorësh me Aleancën dhe jo plotësim të vendeve të zbrazëta, me kandidatë të partive respektive, ai shkeli këtë marrëveshje.

Edhe më tej, Aleanca do të mbështesë reformat me interes për qytetarët dhe reformat që kanë të bëjnë me procesin eurointegrues. Për këtë arsye, ASh nuk do të kërkojë as zgjedhje të parakohshme parlamentare.