Maqedoni

“Trajektorja”, seanca gjyqësore shtyhet për më 31 janar

26.12.2017 14:23

Ish-kryeministri Gruevski sërish erdhi vonë në gjykim, edhe përkundër tërheqjes disa herë të vëmendjes nga ana e prokurorëve për vonesat e shpeshta...

Gjithsesi,  gjykimi për rastin “Trajektorja” u shty për 31 janar, jo për shkak të vonesës së Gruevskit, por për shkak të orarit të ri vjetor të gjykatësve, në të cilin njëra nga gjykatëset e rastit është sistemuar në repartin për sanksione. Gruevski akuzoi pushtetin për presione të shtuara, sidomos ndaj Gjykatës së Apelit, që sipas tij u detyruar të pranojë si dëshmi bisedat e montuara, por edhe për ndryshimin e gjykatësve, duke potencuar se këto veprime janë  dëshmi e qartë se funksionarët e VMRO-së po ndiqen politikisht.
 
“Siç e dini, në rastin e Zaevit gjykatësit i kërkojnë falje që e maltretojnë të vijë në seancë dhe i caktojnë seancat në periudha të gjata kohore, në këtë rast kemi situatë të ndryshme, njëherit shpikën arsye për hetim, më pas kur panë se nuk ka dëshmi dhe ka akuza, filluan të bëjnë presione ndaj Gjykatës, andaj për 15 gjykatës dhanë propozim për shkarkim. Kjo  duhej të mbjellë frikë tek gjykatësit dhe një gjë e tillë u arrit. Më pas u bë presion ndaj Gjykatës së Apelit që ajo t’i pranojë bisedat si dëshmi edhe pse ligji qartë e përcakton se nuk mund të jenë dëshmi dhe në fund vendosën gjykatës të rinj. Mund të supozojmë se çfarë kriteresh janë marrë parasysh  dhe kjo është ajo ajka politike që po ndodh”,- deklaroi i akuzuari, Nikolla Gruevski.
 
Bashkë me Gruevskin në gjykatë u paraqitën edhe tre të akuzuarit e tjerë, ish-ministri i Transportit, Mile Janakieski, ish-zëvendëskryeministri, Vlladimir Peshevski, dhe ish-drejtori i Agjencisë për Rrugë Shtetërore, Lupço Georgieski. Të katërt të akuzuarit në rastin “Trajektorja” dyshohen se në pjesën e dytë të vitit 2012 dhe 2013 kanë ndërmarrë veprime me të cilat kanë tejkaluar autorizimet e tyre për zgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e autostradës Miladinovc - Shtip dhe Tetovë-Ohër, duke i  mundësuar kompanisë kontraktore të fitojë pasuri dhe duke dëmtuar kështu buxhetin shtetëror  në vlerë prej  155 milionë euro. 
 
Ndërkohë, seanca gjyqësore për rastin “Trust” nuk u mbajt fare duke u shtyrë kështu për vitin e ardhshëm.
 
FLUTURA LATIFI