Maqedoni
Procedurat gjyqësore në 2017-n, 30% e rasteve gjykohen pa publikun dhe mediat. ShGM: Gjykata nuk guxon të kufizojë raportimin e lirë
26.12.2017 15:55
Gjykata Penale në Shkup po shënon praktikë negative sa i përket të drejtës së gazetarëve për pjesëmarrje në procese gjyqësore, u tha në debatin “Publiku në procedurat gjyqësore”...

Që gjykimi të jetë i drejtë duhet të ketë elemente të publikut në proces, vlerësojnë nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”. Ata kanë konstatuar se këtë vit gazetarëve nuk iu është lejuar të marrin pjesë në 30% të rasteve gjyqësore krahasuar me vitin 2015 ku kjo ndodhte vetëm në 5 % të rasteve.
“Tek ne parimet e transparencës dhe publikut nuk shkojnë bashkë, sidomos kur bëhet fjalë për lëndë të cilat i ndoqëm vitin e kaluar e të cilat ishin të eksponuara në media dhe të rëndësishme për publikun. Pamë një trend interesant, sa më shumë që gjykimet janë më interesante për publikun, aq më shumë publiciteti i tyre zvogëlohet”,- deklaroi Natali Petrovska nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.
Sipas ShGM-së, ka raste kur pengohet puna e gazetarëve në seanca gjyqësore, posaçërisht për procedurat ku të akuzuar janë ish-funksionarë të lartë.
“Gjykatat dhe institucionet e tjera në RM duhet patjetër të mësojnë leksionin e tyre përmes aktgjykimit në Strasburg, se gazetarëve i është e nevojshme t’u mundësohet kushte për kryerjen e funksionit të tyre dhe të njëjtëve nuk guxon t’u kufizohet e drejta për raportim të lirë. Në këtë mënyrë do t’i tregohet publikut dhe se kur bëhet fjalë për raste gjyqësore janë të involvuar funksionarë të lartë të politikës”,- tha DRAGAN SEKULLOVSKI nga ShGM.
Për Sashe Dimovskin nga portali “Svedok” i papranueshëm është fakti që gazetarët nuk marrin pjesë në gjykimet ku deklarohet dëshmitari i mbrojtur. Ai thekson se ligji mbron identitetin dhe jo përmbajtjen e deklaratës.
“Nëse e shohim ligjin dhe rendin ligjor në tërësi mbrohet identiteti dhe çdo zbulim mund të jetë i dënueshëm për ne, megjithatë në asnjë moment ligji nuk parasheh se mbrohet edhe deklarata e dëshmitarit. Atëherë cili është rreziku të zbulojmë çfarëdo që të jetë kur menjëherë pas publikimit të aktvendimit ju mund të lexoni edhe deklaratën e dëshmitarit të mbrojtur?”,- u shpreh Sashe Dimovski nga Portali “Svedok”.
Liria e mediave është e drejtë e pamohueshme, ndërsa puna thelbësore e tyre është të respektojnë të vërtetën dhe të drejtën e publikut, të jenë të informuar saktë dhe në kohë. Gazetari ka të drejtë në qasje tek të gjitha burimet e informatave që janë në interes publik, u tha me këtë rast.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
