Maqedoni

Zaev: Plotësuam vendet vakante në qeveri; Dalja e Aleancës nga Qeveria, Zyberi: Nuk dëmton funksionimin politik

26.12.2017 16:15

Pas paralajmërimit të liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, se pas dorëzimit të Ligjit për përdorim të gjuhëve...

Pas paralajmërimit të liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, se pas dorëzimit të Ligjit për përdorim të gjuhëve kjo parti do ta braktisë koalicionin qeveritar, kryeministri, Zoran Zaev, është optimist se bashkëpunimi për reformat në shtet do të vazhdojë.
 
Gjatë qëndrimit në Prilet, Zaev Zaev ka hedhur poshtë zërat për ndonjë marrëveshje mes LSDM-së dhe BDI-së për postin e ministrit të shëndetësisë dhe tha se në Qeveri u plotësuan vendet e zbrazëta.
 
“Do t’u apeloja për veprime me maturi nga ana e politikanëve që sipas të gjitha gjasave gjenden në pozicion të palakmueshëm... E dini që prioritet kryesor i qytetarëve janë reformat në shëndetësi dhe insinuata të tilla, apo budallallëqe siç thotë populli, duhet t’i mbajmë larg…. Thjesht plotësuam vendet vakante. Ish-ministri Taravari, pa biseduar me askënd, publikoi se kandidohet për kryetar të komunës së Gostivarit. Ka të drejtë të zgjidhet, por tek kjo situatë erdhëm pikërisht për shkak të mosdakordimit paraprak, por Ministria e Shëndetësisë nuk i përket asnjë partie”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zaev thotë se shumica jobindëse me të cilën u përballën gjatë votimit të kryeprokurorit të ri, në fakt është e shëndetshme për vendin, sepse Maqedonisë nuk i nevojiten diktatorë të rinj. Ai hodhi poshtë mundësinë e zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm. 
 
"Shumica jobindëse ishte edhe gjatë formimit të Qeverisë, por kjo është demokraci. Unë nuk ngarkohem me këto gjëra. E rëndësishme është që unë si kryeministër nuk planifikoj që të ketë zgjedhje gjatë vitit 2018, por ta realizojmë atë që ua premtuam qytetarëve për jetë më të mirë. Deri në zgjedhjet presidenciale në vitin 2019 duhet të gjithë të tregojmë përkushtim, pushteti dhe opozita, të punojmë për qytetarët”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Edhe analisti, Naser Zyberi, vlerëson se dalja e Aleancës nga shumica parlamentare nuk krijon turbulencë politike. Mund të ndodhin ngërçe gjatë marrjes së vendimeve, por megjithatë gjithçka do të funksionojë në mënyrë normale, thotë Zyberi. 
 
“Deklarata e Selës se pas votimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve edhe formalisht do ta lëshojë qeverinë, sigurisht që do imponojë nevojën për riformatim të shumicës parlamentare. Nga deklaratat e deritanishme shihet se qeveria nuk do të vihet në pikëpyetje, ajo do të vazhdojë të funksionojë me një shumicë minimale,  që shpeshherë mund të ketë ngërçe në funksionimin dhe krijimin e shumicës në marrjen e vendimeve. Por, si e tillë mund të vazhdojë të funksionojë marrë parasysh se ka gatishmëri që të jenë pjesë e qeverisë subjekte të tjera politike, si PDSh dhe disa deputetë që po dalin nga VMRO-DPMNE”,- theksoi analisti politik, Naser Zyberi.
 
Sipas Zyberit, dalja eventuale e Aleancës nga shumica parlamentare nuk do të ndikojë në sigurimin e shumicës së nevojshme parlamentare për votimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të thjeshtë prej 62 deputetësh dhe kjo u vërejt edhe gjatë votimeve ditëve të fundit.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU