Maqedoni

Javën e kaluar janë zhdukur pesë vajza, MPB gjeti tre, për dy të tjerat hetimi vazhdon

26.12.2017 16:27

Tri motrat nga Çairi të zhdukura para tre ditësh kanë qenë për vizitë te shoqja e tyre në Shkup dhe nuk janë paraqitur në shtëpi...

Policia i ka gjetur të miturat shëndosh e mirë dhe tani ato janë kthyer tek prindërit e tyre. Në ndërkohë, policia heton edhe zhdukjen e dy vajzave të tjera nga Tetova vikendin e kaluar.
 
“Pas masave të ndërmarra, tre vajzat e mitura nga Shkupi policia i ka gjetur në lagjen Autokomand në Shkup në të cilën kanë qenë për vizitë tek një shoqe e tyre e përbashkët, ndërsa për zhdukjen dy vajzave të tjera nga Tetova policia ende punon për gjetjen e tyre”,- deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Toni Angelovski.
 
Javën e kaluar janë zhdukur gjithsej pesë vajza në Shkup dhe Tetovë, prej të cilave katër të mitura dhe një e rritur. Nga MPB informojnë se gjatë muajit të kaluar ka pasur raste ku një vajzë e mitur që ka qenë nën përkujdesjen e shtëpisë së përkujdesjes të fëmijëve në Shkup “Ranka Milanoviq” disa herë është larguar dhe me ndihmën e policisë sërish është kthyer në këtë institucion. 
 
Në ndërkohë policia akoma heton edhe zhdukjen e dy motrave nga Tetova që kanë braktisur shtëpinë para dy muajve.
 
REXHEP QAMILI