Maqedoni

Fjalimi i Ivanovit në Kuvend, Grubi: edhe poligrafi do ta kishte vështirë ta kuptojë; Remenski: fjalim i turpshëm dhe partiak; Mickovski: gjithëpërfshirës dhe përmbajtësor

26.12.2017 17:25

Pas fjalimit të presidentit, Gjorge Ivanov, kanë reaguar partitë politike...

Nga BDI “oksimoron” e kanë cilësuar fjalimin e tij të cilin sipas Artan Grubit edhe poligrafi do ta kishte vështirë ta zbërthente se çfarë ka dashur të thotë.
 
Nga shumë vërejtje që kanë nënvizuar, BDI u përqendrua në Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe marrëdhëniet me Kosovën. 
 
“Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe rrjedh nga amendamenti 5 i nenit 7 të Kushtetutës së RM-së dhe është tërësisht në përputhshmëri me të gjitha normativat ligjore në RM dhe z. Ivanov bën mirë që të japë kontributin e vet për harmoni dhe kohezion ndëretnik për një shoqëri sa më të bashkuar. Z. Ivanov gjithashtu cenoi edhe marrëdhëniet ndërfqinjësore, e në veçanti me fqinjët shqiptarë të RM-së, në veçanti Kosovën dhe Prishtinën, me ç’rast komentet e tij në lidhje me refugjatët e ardhur nga Republika e Kosovës gjatë luftës së viteve 98 dhe 99 janë absolutisht të papranueshme për deputetët shqiptarë të BDI-së në Kuvendin e RM-së dhe për këtë besojmë se z. Ivanov duhet të kërkojë falje”,- deklaroi ARTAN GRUBI nga BDI.
 
Deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski, fjalimin e presidentit Ivanov e quajti si fjalim partiak të turpshëm që nuk dallon nga politikat e VMRO-DPMNE-së.
 
“Z. Ivanov lëshoi mundësinë të dalë nga vetja dhe retorika partiake e ndarjeve konflikteve dhe të dëshmojë se është në nivel të përgjegjësisë së tij si kryetar i RM-së dhe në këtë vit kyç për ripërtëritjen e demokracisë në Maqedoni të japë kontribut minimal drejt pajtimit që aq shumë e përdori në fjalimin e tij. Nuk arriti ta tejkalojë retorikën e përçarjes dhe konfliktit, përkundrazi thelloi me çdo fjali që tha”,- theksoi Frosina Remenski nga LSDM.
 
Ndërkohë nga VMRO-DPMNE-ja, deputetët e së cilës u shfaqën në kuvend pas një kohe të gjatë, fjalimin e cilësuan si gjithpërfshirës, duke mos dashur ta komentojnë përmbajtjen e tij.
 
“Fjalimi i përfshinte të gjitha temat të cilat në këtë vit kalendarik ishin aktuale rreth zhvillimeve. Fjalim përmbajtjesor në të cilin presidenti dha vlerësimin personal për zhvillimet në vitin që lëmë pas si çdo funksionarë. Deputetët e VMRO-DPMNE-së morën pjesë”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Kreu i VMRO-DPMNE-së nuk precizoi nëse deputetët e partisë që drejton ai do të bojkotojnë punën e kuvendit. Për këtë do të hapet një dialog brenda partisë dhe më pas do të sjellin vendim, tha ai.
 
NAIM RAMADANI