Maqedoni
Fjalimi tradicional i presidentit, Ivanov: Ligji për gjuhët, rrezik për karakterin unitar
26.12.2017 17:34
Presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov, në fjalimin e tij të fundvitit e cilësoi 2017-n si vit të krizës së thellë institucionale dhe kushtetuese...

Në fjalimin e tij maratonik, prej rreth një orë, Ivanov edhe një herë iu rikthye Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare, duke e quajtur si Platforma nga Tirana, dokument që sipas tij ka krijuar krizë kushtetuese dhe e ka penguar atë që t’ia ndajë mandatin kandidatit që kishte krijuar shumicën në Kuvend.
“Procesi i koalicionit postzgjedhor dhe formimit të qeverisë së re u bë peng i platformës paszgjedhore të një shteti të huaj që solli në pyetje interesat themelore të RM-së. Për shkak të Platformës së Tiranës, kriza politike u rrit në krizë kushtetuese. Dolën në sipërfaqe shumë paqartësi të kushtetutës për ndarjen e mandatit për formimin e qeverisë”,- deklaroi presidenti i RM-së, Gjorge Ivanov.
Ivanov u doli në mbrojtje deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe protestuesve të cilët ndodhen në paraburgim të akuzuar për "rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë".
“Nuk mundem të mos i mbështes ata që për më shumë se dy muaj në mënyrë paqësore dhe me dinjitet treguan kujdes për interesat shtetërore të RM-së”,- tha presidenti i RM-së, Gjorge Ivanov.
Përderisa deklaroi mbështetje për të akuzuarit për "rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, Ivanov shprehu qëndrimin e tij kundër propozim ligjit për përdorimin e gjuhëve. Sipas tij, ky ligj rrezikon rendin kushtetues.
“Pas konsultimeve mund të them se Ligji për gjuhët nuk paraqet rrezik për gjuhën maqedonase, por paraqet rrezik për karakterin unitar të shtetit. Ky ligj e shkel ligjin më të madh të shtetit dhe kjo është Kushtetuta e RM-së”,- theksoi presidenti i RM-së, Gjorge Ivanov.
Përveç retrospektivës për zhvillimet e brendshme politike, kreu i shtetit nuk la pa kritikuar as fqinjët dhe politikat e tyre, siç tha populiste.
“E përmenda Platformë e Tiranës, e cila ishte përzierje populiste në punë të brendshme të RM-së. Patëm edhe mashtrim kundërzbulues në marrëdhëniet me Serbinë. Ndërkaq, Qeveria e Kosovës vendosi të përcaktojë ndihmë financiare për aktorët e angazhuar në aktet e dhunshme dhe terroriste në Gushincë dhe Kumanovë”,- u shpreh presidenti i RM-së, Gjorge Ivanov.
Nuk u kursyen as BE dhe as NATO. Sipas Ivanovit, edhe ngecja në procesin eurointegrues ndodh për shkak të burokracisë së këtyre dy organizmave në relacion me kontestin rreth emrit.
“Realiteti është se zgjidhja e çështjes së emrit mbeti peng i burokracisë së NATO-s dhe BE-së. Prandaj, zgjidhje rreth çështjes së emrit me Greqinë mund të kërkohet në kuadër të OKB-së ku jemi të barabartë”,- tha presidenti i RM-së, Gjorge Ivanov.
Fjalimi i presidentit u duartrokit nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët u kthyen në Kuvend pas një bojkoti të heshtur disajavor.
SHPËTIM NUREDINI
